Numri i ish funksionarëve të lartë të VMRO-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre që nuk janë ende në burg vetëm sa vjen e pakësohet. Pas arratisjes së Nikolla Gruevskit, i cili dëshmoi se marrja e pasaportës dhe obligimi për tu paraqitur në gjykatë nuk janë garancë, tashmë gjykata dhe Prokuroria Speciale janë vënë në gjuajtje të funksionarëve të tjerë të mbetur.
Informacionet e tyre operative thonë se shumica kanë planifikuar të arratisen sikurse Gruevski, prandaj nxitojnë për të kërkuar paraburgim në mënyrë që të pengojnë arratisje. Në burg mbrëmë vonë PSP-ja dërgoi edhe ish drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, i cili është i akuzuar në katër raste dhe i dyshuar në një rast tjetër.Në paraburgim në Shutkë tani gjenden ish ministri i transportit Mile Janakieski.
Shoqëri atij i bën edhe ish sekretari i Qeverisë gjatë qeverisjes së VMRO-së Kirill Bozhinovski. Ndërsa i paraburgosur është edhe biznesmeni i afërt me pushtetin e kaluar Orce Kamçev. Burgut i shpëtuan dy ish agjentët e DSK-së Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujovski të cilët u arratisën në Greqi dhe kërkuan azil. Nga personat e dyshuar ose akuzuar në rastet e PSP-së për momentin në paraburgim nuk është vetëm ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska.
Në paraburgim nuk është as deputeti i VMRO-së Ilija Dimovski. Në burg nuk janë dërguar as një sërë të dyshuarish për financimin e paligjshëm të VMRO-së si Ivo Kotevski, Daniella Rangellova, Emill Dimitriev, Martin Protugjer e Aleksandar Biçikliski. Paraburgim nuk është kërkuar as për ish kryetarin e Gazi Babës, Toni Trajkovski, e as për ish anëtarët e KSHZ-së nga radhët e VMRO-së dhe PDSH-së.
Larg burgut mbeten edhe funksionarët shqiptarë, Ejup Halimi, Ismet Gurri, Menduh Thaçi, Bedredin Ibrahimi që kanë gjykim e sipër. Shkaku i rrezikut për arrati, ngjashëm sikur Gruevski, Prokuroria Speciale pati paralajmëruar se do të kërkojë paraburgim për të gjithë ata që japin edhe dyshimin më të vogël për arrati, shkatërrim provash, ose ndikim tek dëshmitarët./Shenja