Pas katër vjet e gjysmë gjykim, sot shpallet aktgjykimi për gjashtë të akuzuarit për aksidentin e Llaskarcës

Dy javë para përvjetorit të pestë të aksidentit tragjik të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, sot duhet të shpallet aktgjykimi për gjashtë të akuzuarit të cilët u gjykuan katër vjet e gjysmë për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, raporton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Prokurori Darko Jakimovski, në fjalët përfundimtare kërkoi që të akuzuarit të dënohen, ndërkaq përveç kësaj t’u ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së transportit.

Familjarët e viktimave dhe të lënduarit mbështesin akuzën e Prokurorisë dhe kërkojnë që të dënohen të gjithë të akuzuarit.

Nga ana tjetër, asnjëri prej të akuzuarve nuk e pranon fajin, gjegjësisht të gjithë kërkojnë që të lirohen nga akuza.

I akuzuari i parë, Durmish Beluli – pronar i kompanisë “Durmo Turs”, ka mohuar kategorikisht fajin për aksidentin, duke hedhur fajin tërësisht te shoferi, i cili, sipas tyre, ka qenë përgjegjës për këtë aksident. Mbrojtja e Belulit, bazohet në teoritë që edhe gjatë gjykimit i kanë ngritur, se shoferi fare nuk ka reaguar dhe se aksidenti ka ndodhur për shkak moskujdesit të tij dhe shpejtësisë së vozitjes.

I akuzuari i dytë, Remzi Miftari – përgjegjës për transportin në kompaninë “Durmo Turs”, ka mohuar fajësinë për veprën që ngarkohet. Sipas avokates së tij, Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që ta dëshmojë akuzën, gjegjësisht veprën për të cilën ngarkohet.

I akuzuari i tretë, Igor Gjeorgjievski – udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar” ku autobusi ka kaluar kontrollet teknike, gjithashtu ka mohuar fajin. Sipas mbrojtjes së tij, Prokuroria me asnjë provë nuk e ka dëshmuar lidhjen shkak-pasojë mes aksidentit dhe veprën për të cilën ngarkohet i akuzuari.

I akuzuari i katërt, Goran Dukovski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, gjithashtu mohoi fajin për aksidentin dhe drejtoi gishtin kah shoferi duke theksuar se aksidenti ka ndodhur për shkak mosreagimit të tij.

I akuzuari i pestë, Jane Babavorvski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar” ka mohuar fajin. Sipas tij, në ditën e kontrollit teknik të autobusit më 2 korrik të vitit 2018-të, ai nuk ka qenë fare në hapësirat e stacionit teknik, ndërkaq kolegët e kanë vulën e tij pa u dhënë ai leje.

I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski – shoferi i autobusit të aksidentuar, është i vetmi i akuzuar i cili gjatë tërë procesit gjyqësor është mbrojtur me heshtje. Nëpërmjet avokatit të tij, ai ka mohuar fajin për aksidentin, duke drejtuar gishtin kah kompania se i ka dhënë autobus teknikisht të parregullt.

Ndryshe autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.