Pas festave bojkot i mësimit? Prindërit dhe fëmijët nën kërc*ënime dhe presione

Pasi disa prindër, profesorë dhe mësimdhënës u shprehën kundër digjitalizimit të librave shkollorë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës u dërgoi shkresë Këshillave të Prindërve të shkollave lidhur me dilemat që i kanë rreth digjitalizimit të teksteve. Në shkresën mes tjerash shpjegohen disa gjëra:

“Nxënësit përveç tabletave do të kenë edhe libra. IT teknologjia do të jetë vetëm mjet ndihmës shtesë në situata kur temat mësimore e kërkojnë këtë. Nxënësit do të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë materialet e shtypura. Për digjitalizimin dhe qasjen deri te librat e digjitalizuar nuk nevojiten licenca shtesë të softuerit, ato do të jenë falas për të gjithë. Për përdorimin e teksteve elektronike nuk nevojitet internet. Libri shkarkohet në mjetin një herë dhe mbetet derisa shfrytëzuesi nuk e fshin”, deklaruan nga MASH-i.

Grupi joformal i prindërve “Mësim dhe libra patjetër të ketë” këmbëngul që ligji të ndryshohet dhe të njëjtin ta shqyrtojnë vetë prindërit. Dragana Spasovska, nënë e tre fëmijëve thotë se digjitalizimi do të ndikojë negativisht mbi shëndetin mendor dhe fizik të nxënësve.
“Ne kërkojmë të ndalet ky propozim-ligj, të na japin neve, si dhe profesionistëve që të ndihmojmë në sjelljen e vendimeve, të propozojmë dhe para së gjithash të hulumtojmë çka u nevojitet fëmijëve tanë”, deklaroi Spasovska.

Pas festave paralajmërohen protesta dhe bojkot të mësimit nëpër shkollat nëse nuk pranohen kërkesat e tyre. Dje kishte bojkot në disa shkolla në vend.
“Kërc*ënime shumë të mëdha dhe presione përjetuan fëmijët dhe prindërit. Shumë kërcënime nga ana e profileve të autorizuara në rrjetet sociale nga partia në pushtet”, shtoi më tej ajo.

Nga ana tjetër, MASH-i nuk tërhiqet nga ideja për digjitalizimin në arsim. Para disa ditësh MASH-i e tërhoqi propozim ligjin, por për të bërë disa korrigjime dhe përpunime të propozimit dhe i njëjti do të votohet në procedurë të shpejtë. MASH-i u porositi prindërve të mos bien pre ndikimeve politike dhe propagandës. Sipas tyre, reformat në arsim janë të nevojshme dhe kjo bëhet për të mirën e fëmijëve.