Pas Ermal Fejzullahut, Grubi paralajmëron Kidën në Peace Festival

21 vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit këtë vit vjen me një format të ri, shumë modern dhe me synim që të shndërohet në një manifestim tradicional, krejtësisht ndryshe nga ajo që është shënuar në të kaluarën.

Bëhet fjalë për “Peace Festival” që do të mbahet më 13 Gusht në Sheshin Skenderbeu në Shkup me fillim nga ora 21:00.

Pas paralajmërimit se Ermal Fejzullahu do të jetë këngëtari i parë që do të përformojë në këtë festival risi për adhuruesit e muzikës, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka paralajmëruar sot përmes faqes së tij në Facebook edhe prezencës e këngëtares së mirënjohur Kida.

Ditëve në vazhdim, qytetarët do të njoftohen edhe me këngëtarët tjerë që do të argëtojnë publikun me rastin e shënimit të përvjetorit të 21-të të Marrëveshjes së Ohrit.

Më herët, u paralajmërua Shkolla verore për Liderë të rinj e organizuar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive e cila do të organizohet në kuadër të shënimit të 21 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Përveç Peace Festival, risi e këtij përvjetori do të jetë edhe Shkolla për liderë të rinj “Peace Forum Dialogue” në Ohër nga data 10 deri më 12 Gusht me akomodim dhe trajnim plotësisht të organizuar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Shkolla për Liderë të rinj ”Peace Forum Dialogue” do t’ju mundësojë pjesëmarrësve të rinj të njihen me përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës, asaj të fqinjësisë së mirë dhe të pajisen me njohuri dhe shkathtësi rreth tematikave të tyre, si menaxhimi me konfliktet, ndërtimi i paqes, persektivat e integrimit, kohezioni social dhe demokracia konsensuale.