Pas dyshimit që helmimi i shkaktoi vdekjen Muamer Zukorliqit, do të bëhet zhvarrosja dhe autopsia e tij

Zhvarrosja dhe autopsia e trupit të ish-kryetarit të Partisë për Drejtësi dhe Pajtim, Muamer Zukorliq, do të bëhet të premten më 6 maj, ka njoftuar djali i tij Usama Zukorliq.
Ai në Instagram ka shkruar se një vendim të tillë e ka marrë Gjykata e Lartë në Novi Pazar.

“Gjykata e Lartë miratoi ekspertizën ndërkombëtare të përbërë nga studentë të mjekësisë ligjore nga Beogradi, Sarajeva dhe Hamburgu. Procesi do të monitorohet edhe nga Prokuroria e Shtetit të Bosnjë-Hercegovinës”, ka thënë Usama, i cili pasoi babain e tij në krye të partisë.

Prokuroria e Lartë në Novi Pazar që prej datës 11 prill ka vepruar në bazë të kallëzimit penal të cilin ai e ka dorëzuar në Prokurorinë Publike Republikane (RJT), duke kërkuar që të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes së babait të tij.

Më pas ai i ka dorëzuar RJT-së gjetjet laboratorike, të cilat, siç kishte thënë më herët, tregojnë se babai i tij nuk ka vdekur për vdekje natyrale, por është helmuar.

Duke iu drejtuar publikut, Usama Zukorliq tha se një laborator përcaktoi se ekzistonte një probabilitet i lartë që Muamer të ishte helmuar nga metalet e rënda, dhe tjetri se ai ishte helmuar nga ushqimi.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Lartë e mori në pyetje, ndërsa Gjykata e Lartë miratoi zhvarrosjen dhe autopsinë e trupit të Muamer Zukorliqit.

Ish-myftiu i Sanxhakut u nda nga jeta papritur më 6 nëntor, në moshën 51-vjeçare. Më pas si shkak i vdekjes u përmend një atak në zemër.