Pas dy viteve pritje operohet Fatmir Reçica, i dënuar në rastin “Lagja e Trimave”

Pas dy viteve pritje, i dënuari për rastin “Lagja e Trimave” Fatmir Reçica i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e disa pjesëve të xhamave nga fytyra.

Burime të Alsat bëjnë të ditur se Reçica për disa herë ka kërkuar këtë ndërhyrje, ndërsa është refuzuar për arsye sigurie. Kjo sipas avokatit mbrojtës, Ibraim Bajrami ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të tij.

“Kam informacion që brenda ditës së djeshme është realizuar intervenimi kirurgjikal dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Është për të ardhur keq se për një kohë të gjatë janë bërë kërkesa për të realizuar këtë intervenim që ka të bëj me shëndetin e tij dhe për shkak të sigurimit të lartë për transportin e tij deri në spital është neglizhuar dhe të gjitha këto ndikojnë në rëndimin e shëndetit të Fatmir Reçicës dhe të tjerëve”, theksoi Ibraim Bajrami, Avokat.

Bajrami shton se kushtet në të cilat mbahen të burgosurit jo vetëm për këtë rast por në përgjithësi në burgjet e vendit janë jashtë çdo standardi optimal.

“Kushtet në të cilin vuajnë dënimet me burg edhe personat e dënuar për rastin “Lagja e Trimave” përfshi edhe të tjerët në pjesën dërmuese të burgut të Idrizovës janë të mjerueshme, jashtë çdo standardi të paraparë”, tha Ibraim Bajrami, Avokat.

Në faqen zyrtare të internetit të Avokatit të Popullit, në dritaren për raportet vjetore nuk mund të gjenden të dhëna për raportin e vitit 2021. Raportet paraprake kanë konstatuar shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe trajtim i të burgosurve në kushte mizore, mungesë të preparateve higjienike dhe ushqimit cilësor, mungesë të programit të risocializimit etj. Përveç kushteve dhe trajtimit mjekësorë, të burgosurit ankohen edhe për mos respektimin e të drejtës për fundjavë të lirë, e cila i takon disa të burgosurve në rastin “Lagja e Trimave”. / Alsat.mk