Pas deklaratave skandaloze të Shkëlzen Gashit, reagon Vasfije Krasniqi-Goodman


Ka reaguar Vasfije Krasniqi –Goodman, pas deklaratave të Shkëlzen Gashit, këshilltarit të Kryeministrit të Kosovës në largim, Albin Kurti, i cili tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UCK), ka kryer krime dhe duhet dënuar.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, Krasniqi-Goodman, ka reaguar duke thënë se vitin e kaluar kanë qenë viktimat e dhunës seksuale tash UÇK-ja, përcjell Gazeta Insajder.

“Vjet viktimat e dhunes seksuale, tash UÇK-ja. Whats next?”, ka shkruar Krasniqi.

Gashi në emisionin Frontal në T7 gjatë ditës së djeshme tha se duhet të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës. I njëjti kishte thënë se gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit, e ka këshilluar Kurtin që të mos del kundër Gjykatës Speciale.

I pyetur se a ka ndërruar qëndrim për Gjykatën Speciale, Gashi thotë se ka organizata ndërkombëtare që flasin për krime që janë kryer nga ish-ushtarë të UÇK-së.

“Çka mendon ti pse është themeluar Gjykata Speciale, pse dy të tretat e deputetëve të Kuvendit e kanë votu themelimin, një nga mospajtimet e mia me LVV, unë mendoj që duhet me u themelu. Unë mendoj që po janë faktet e organizatave ndërkombëtare që flasin për krime që individ nga radhët e UÇK ‘së i kanë bërë ndaj civilëve të pafajshëm dhe unë mendoj që duhet me u dënu”, ka thënë dje Gashi.

Kjo deklaratë e tij nxiti reagime me ç’rast gjatë ditës së sotme Gashi edhe u shkarkua nga posti i këshilltarit.

Vasfije Krasniqi-Godman është e mbijtuara e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.