Pas Besimit u sëmur avokati i Etemit, u shty për të dytën herë seanca e fjalëve përfundimtare për rastin e zjarrit në modular

Për herë të dytë u shty seanca gjyqësore e cila ishte caktuar për fjalët e fundit në lidhje me rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona. Për arsye shëndetësore, sot mungoi avokati i të akuzuarit, ish drejtorit ekonomik të Spitalit të Tetovës, Artan Etemit.

Seanca e radhës u caktua për më 29 maj në ora 10:00.

Nëse kjo seancë (e katërmbëdhjeta me radhë) do të mbahet, pastaj pritet të shpallet aktgjykimi për të akuzuarit.

Kujtojmë që seanca e fjalëve përfundimtare ishte e planifikuar të mbahet me 25 prill, por u shty për shkak se mungoi i akuzuari Florin Besimi, pasi siç tha avokati i tij, ai kishte temperature, e njëjta u shty për sot, por sot i sëmurë ishte avokati i Artan Etemit.

Dhënia e dëshmive mbaroi seancën e njëmbëdhjetë të mbajtur me 6 prill 2023.

Disa seanca të gjykimit që nga fillimi me 6 shtator 2022 e deri më sot janë shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarve apo avokatëve të tyre.

Seancën e parë munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski.

Seancën e tretë mungoi avokati i doktorit Boban Vuçevski.

Seancën e gjashtë mungoi Artan Etemi.

Seancën e dymbëdhjetë mungoi Florin Besimi.

Familjarët e viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.portalb.mk