Pas arrestimit, avokati Berisha shtrihet për trajtim në Kardiologji

Avokatit Besnik Berisha është dërguar për trajtim në Klinikën e Kardiologjisë.

Ai është dërguar për trajtim atje pasi që i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Berisha bashkë me tre persona të tjerë është arrestuar të enjten në një aksion që është realizuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Prokuroria Themelore ka njoftuar se ata dyshohen për veprat penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Prokuroria ka njoftuar se janë kontrolluar e pastaj edhe sekuestruar përkohësisht shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të katër të arrestuarve dhe dy personave të tjerë të dyshuar.

Sipas Policisë të arrestuarit e tjerë përveç Berishës janë personat me iniciale N.Xh., I.S. dhe R.C..

Mbrojtësi i Berishës, avokati Naim Rudari në një prononcim për Sinjalin tha se arrestimi i tij është i kundërligjshëm dhe arbitrar, raporton Gazeta Sinjali.

Rudari tha se kjo është hakmarrje e paskrupullt e pushtetit për zërin e tij kritik ndaj dukurive negative në sistemin e drejtësisë.

Ai po ashtu tha se kanë apeluar që lënda të bartet në PSRK dhe të sigurohet një hetim i pavarur e i pandikuar.

“Arrestimi i avokatit Besnik Berisha, është arrestim arbitrar, i kundërligjshëm dhe përbën një precedent të rrezikshëm për sigurinë juridike në vend. Është një hakmarrje e paskrupullt e pushtetit për zërin e tij kritik ndaj dukurive negative në sistemin e drejtësisë dhe në veçanti, prezantimeve të tij në media për skandalet e njëpasnjëshme të pushtetit. Ajo çfarë mund t’ia konfirmoj secilit është se Besnik Berisha nuk ka shkel asnjë ligj, nuk ka kry asnjë krim”, tha ai.

Tutje Rudari tha se prokurori dështoi ta prezantojë qodtë edhe një provë të vetme për dyshimin që rëndon mbi avokatin Berisha dhe sipas tij, ai është peng i sistemit për shkak të personalitetit të tij, misionit dhe profesionit të tij, guximit të tij profesional.

Më tej, ai ka bërë thirrje te Kryeprokurori i Shtetit që ta ndal persekutimin ndaj avokatit Berisha dhe ta bartë lëndën në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Përkundër insistimit tonë që prokurori të prezantojë qoftë edhe një provë të vetme për dyshimin që rëndon mbi avokatin Berisha, prokurori dështoi për ta prezantuar jo sepse nuk ia lejon ligji, por për shkak se nuk ka dhe nuk ekziston asnjë. Besnik Berisha është peng i sistemit sot për shkak të personalitetit të tij, misionit dhe profesionit të tij, guximit të tij profesional dhe kështu do të provohet pa asnjë dyshim. Apelojmë te kryeprokurori i shtetit që ta ndal persekutimin e avokatit Berisha, ta bartë lëndën në PSRK dhe të sigurojë një hetim të pavarur dhe të pandikuar. Sot u prangos një avokat për shkak të zërit të tij kritik, jo veprimeve të kundërligjshme. Ky është skandal”, tha më tej Rudari.

Ai bëri të ditur se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet e ligjshme për ta përshfaqur arbitraritetin dhe kundërligjshmërinë në rastin e avokatit Berisha.

“Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet e ligjshme për ta shpërfaq arbitraritetin dhe kundërligjshmërinë në rastin e avokatit Besnik Berisha, sepse jemi të bindur se kjo për të cilën është arrestuar është skandal. Arrestimi përbën krim dhe kështu do të provohet në vijim”, tha avokati Rudari.