Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Zëvendësministër i Mbrojtjes, Enver Dugolli, ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj për kryeministrit në detyrë, Albin Kurtin.
Dugolli ka ri publikuar një shkrim të tij për Kurtin, në të cilin tregon se si kishin ushtruar dhunë forcat serbe në Burgun e Lipjanit.
Postimi i plotë:
Këtë dëshmi timen e kam postuar edhe më herët. Po e ri-postoj edhe tani, por është mirë ta lexon Ramushi, Hashimi, Isa e kushdo tjetër që përhapin gënjeshtra për Albinin.
Ata i ka kapë paniku dhe trishtimi nga autoriteti dhe përkrahja që gëzon Albini.
9 qershor 1999, Burgu i Lipjanit
“…Na kapi fort shqetësimi ngaqë dëgjonim një rrahje të pamëshirshme dhe të pandërprerë diku prej një dhome të burgut. Duhet të ishte ora dhjetë e mbrëmjes kur kishte nisur rrahja. Nuk po ndalej. Në fillim dëgjohej vetëm një gjysmë zëri i njeriut që rënkonte nën goditjet. Ngaqë goditjet ishin shumë të shpeshta, ne gjykonim se po torturonin disa të burgosur njëkohësisht. Edhe atë gjysëm zëri nuk e dëgjonim më, por goditjet po. Ato vazhdonin me të njëjtin vrull. Lidhëset plastike në duar dhe zhurma e goditjeve në vesh na mbanin zgjuar. Të mbetet pak për të menduar në ato çaste, por ajo pak ta shpon trurin. Vetëm më vonë mësuam se fjala ishte vetëm për një njeri. Njeriu që ishte rrahur për vdekje nga gardianët e burgut, gjithë natën deri në mëngjes, ishte Albin Kurti…”
Libri – Enver Dugolli “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”.