Pas aeroportit, dyshohet për bomba edhe në aeroplanë

ilustrim

Gazetari, Adriatik Kelmendi, ka treguar se aeroplani me të cilin ai po udhëtonte nga Munchen për Prishtinë, është detyruar të aterojë në Shkup, pas alarmit për bombë në aeroport. Siç tregoi Kelmendi, përgjegjësit e aeroportit kanë thënë se ka alarme për bomba edhe brenda disa aeroplanëve, dhe për këtë arsye nuk po i lënë të largohen nga aeroplani, duke i mbajtur brenda. Policia maqedonase ka hyrë për të kontrolluar aeroplanin, tregoi Kelmendi.

Në njoftimin dërguar mediave, Policia ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme dhe është duke trajtuar rastin. Sipas Policisë, në teren janë përfshirë edhe njësitet me qenë apo K-9.

“Policia e Kosovës, me datën 16.06.2022 në orët e pasdites përmes zyrës së mediave të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një informacion për kërcënim me mjete shpërthyese në aeroport. Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9)”, thuhet në njoftim.