Pas 80 vitesh punë, mbyllet këpucëtaria në Tetovë

Për herë të fundit ka mbyllur derën ku për shumë vite kishte punuar si këpucëtar. Pas 40 vitesh të ushtrimit të këtij zanati, Abdylqerim Qazimi, mbyll punëtorinë e tij në Tetovë. E kjo punëtori që ndodhej afër gjykatës së Tetovës, për 80 vite kishte qenë adresë e shumë qytetarëve të cilët kishin rregulluar këpucët e tyre të dëmtuara.

“Prindërit tonë në vitin 1943 kanë filluar me punë në këtë punëtori. Kanë qenë tre vëllezër, kurse më pas ne si fëmijë, u kemi ndihmuar atyre, derisa më pas i zëvendësuam ata. Dhe, unë që nga viti 1980 kam qenë rregullisht në punëtori. Djali i axhës filloi dy vite para meje dhe kemi punuar bashkë për gjatë tërë katër dekadave”, thotë Abdylqerim Qazimi, këpucëtar.

Pas një pune të gjatë dhe të lodhshme, tashmë të dy të moshuarit shpresojnë që të kalojnë në qetësi ditët e pensionimit. Mosha e thyer dhe problemet shëndetësore e kanë bërë të veten. Të dy këpucëtarët e njohur në Tetovë, vendosën të mbyllën punëtorinë e tyre.

“Të dy jemi plakur, kemi probleme me shëndetin, djali i axhës që pesë muaj nuk vjen, nuk mund të punojë, e tash dhe unë shkaku i shëndetit nuk do të mund të punojë. Tash 64 vite po i mbush dhe nuk mund të vazhdojë më tutje”, pohon Qazimi.

Megjithatë, për këtë njeri nuk e lehtë që t`i vendos çelësin punëtorisë ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij. Kur e pyesim se a i vjen keq që ndahet nga profesioni i tij i jetës, emocionohet sepse ishte mësuar me njerëz, me të cilët edhe ndante hallet e jetës. Dëshira për të vazhduar nuk mungon, por shëndeti nuk e lejon që të ushtrojë edhe më tej këtë profesion.

“Shumë keq, sepse ishim mësuar me njerëz, komunikimi i përditshëm me njerëz të cilët vinin dhe na kanë respektuar shumë, por dhe ne i kemi respektuar njerëzit. Ndoshta ndonjëherë kemi gabuar, apo nuk kemi arritur në kohë që të kryejmë rregullimin e këpucëve, por ata na kanë toleruar dhe kanë qenë të sjellshëm. Kanë patur shumë respekt edhe ndaj të parëve tanë, sepse edhe në këtë kohë kur vjen ndonjë plak pyet për prindërit tanë dhe na thonë se kanë qenë të kënaqur me shërbimet tona”, thotë këpucëtari tetovar.Ai thotë se nuk është penduar asnjëherë që ka zgjedhur këtë profesion dhe kanë mbijetuar me nderë dhe falë punës së palodhshme.

“Më shumë se 40 vite kam punuar, me nderë dhe pa i zgjatur dorën askujt kam rritur fëmijët e i kam shkolluar. Pasuri të madhe nuk kemi bërë, por kemi bërë një jetë normale dhe dinjitoze. Jemi të kënaqur. Mendoj se duhet që të vazhdohet edhe më tej që të ketë këpucëtarë sepse njerëzit kanë nevojë”, përfundon bisedën këpucëtari Abdylqerim Qazimi. Ky lokal do të mbyllet përgjithmonë sepse dy fëmijët e Abdyqerimit nuk e kanë trashëguar këtë profesion dhe kanë profesione të ndryshme, krejtësisht tjera nga ai i këpucëtarit. (koha.mk)