Plotë 30 vjet jeton në Zvicër kosovari 52-vjeçar dhe ka tre fëmijë. Por, pasi ai vazhdimisht kishte rënë në ndesh me ligjin, nuk kujdesej për pagesat dhe grumbullonte borxhe, ai duhet të largohet nga Zvicra, shkruan Blick.
Zyra e Migracionit në Solothurn nuk ia zgjati lejen e qëndrimit, pas së cilës kosovari paraqiti një ankesë në Gjykatën Administrative të Solothurnit.
Siç raporton “Solothurner Zeitung”, është konfirmuar edhe nga gjykata vendimi i Zyrës së Migracionit. Vendimi i gjykatës ende nuk është i formës se prerë e mund të apelohet.
Kosovari ishte kërcënuar vazhdimisht nga autoritetet e migracionit me dëbim. Për herë të parë në Kantonin e Aargaut para dhjetë vjetëve.
Në atë kohë ai kishte grumbulluar 23 gjoba e dënime me burg.
Shumica e rasteve të tij kishin të bënin me shkelje të trafikut, si kalimit të shpejtësisë apo përdorimi i telefonit duke drejtuar veturën.
Por burri u dënua edhe për përvetësim e falsifikim e po ashtu për mospërfillje të detyrimeve.
Kur u zhvendos në Kantonin e Solothurnit, Zyra e Migracionit e paralajmëroi atë se nuk duhet të kryejë vepra penale e të mos ketë borxhe të reja.
Në atë kohë borxhi i tij kishte arritur në 280 mijë franga zvicerane.
Por, shpejt pasuan më tepër borxhe. Komuniteti ku jetonin dy nga tre fëmijët e tij kishte parapaguar pagesat e mirëmbajtjes gjatë viteve dhe më pas kërkoi gati 100 mijë franga. Kështu që borxhi i kosovarit u rrit në afro 400 mijë franga zvicerane. Përveç kësaj, ai u dënua sërish për një kundërvajtje trafiku dhe u dënua për neglizhencë të detyrimeve për mirëmbajtje.
Kur burri deshi të zgjaste lejen e qëndrimit në vitin 2019, autoritetet e migracionit e refuzuan aplikimin e tij. Burri kishte grumbulluar me dashje borxhe.
Përveç kësaj u tha se ai kishte shkelur rëndë sigurinë dhe rendin publik në Zvicër nëpërmjet përsëritjes së veprave. Ai nuk kishte plotësuar kushtet për të vazhduar lejeqëndrimin.
Kosovari në kundërpërgjigje tha se jeton në Zvicër prej 30 vjetëve dhe se ka fëmijë e biznese. Dhe se dëbimi nuk është proporcional. Mirëpo, Gjykata Administrative në Solothurn vendosi se nuk ka pengesa për të dëbuar kosovarin, madje as fëmijët e tij në Zvicër. U tha se ai nuk ka kontakt të ngushtë me fëmijët. E për këtë e ka treguar me sjelljen e tij.