Pas 2 muajsh lëshohen linjat e transportit! Tetovë, agjencitë të gatshme për punë

Pas 2 muajsh me vendim qeveritar lëshohen linjat e rregullta ndërkomunale në qytetin e Tetovës. Nga dita e sotme në qytet por edhe fshatra do të mund të qarkullojnë autobusët me linjë të rregullt me mbajtje të detyrueshme të distancës prej të paktën dy metra ndërmjet udhëtarëve dhe mund të ketë maksimum 50 për qind të udhëtarëve nga numri i përgjithshëm i vendeve. Agjencitë turistike e përshëndesin vendimin e qeverisë duke thënë se janë të përgatitura që të fillojnë me linjat e rregullta nga dita e sotme.

“Përshëndesim vendimin e qeverisë që vendosi për rihapjen e linjave ndërurbane me qytetin e Tetovës , e kemi mirëpritur këtë lajm pasi që u bë tre muaj që u ndërpre transporti publik në Tetovë dhe rrethinë. Ne si agjenci që posedojmë linjë mes Tetovës dhe Gostivarit i posedojmë të gjitha resurset ekonomike dhe njerëzore dhe jemi të gatshëm për rifillimin e linjave të lartpërmendura”, tha Ramandan Iljazi, “Ido Turs”.

Qyteti i Tetovës ishte qyteti i vetëm në Maqedoni në të cilin nuk funksiononte transporti ndërkomunal. Më 18 prill shtabi i krizës propozoi që në Komunën e Tetovës të ndërpritet transporti publik dhe ai ndërkomunal. Një vendim i tillë u mor për qytetin e Prilepit dhe Kumanovës. Por edhe pse vendimi për Komunën e Kumanovës dhe Prilepit u largua, qyteti i Tetovës mbeti i vetëm në Maqedoninë e Veriut me transport të bllokuar. Edhe pse shtabi i Krizës së Tetovës ka kërkuar lëshimin e transportit ndërkomunal disa herë ka hasur në vesh të shurdhër. Edhe përkundër faktit se qyteti i Tetovës akoma nuk ka transport publik, një vendim i tillë pamundësonte lëvizjen e furgonave.