Pas 170 vjetësh koncerni nga Mynihu nuk do të prodhojë më në Rusi dhe do të tërhiqet nga vendi më i madh në botë. Arsyeja ka të bëjë me luftën që ka nisur ky vend i drejtuar nga presidenti Putin në Ukrainë.
“Ne e dënojmë luftën në Ukrainë dhe kemi vendosur t’u japim fund në një proces të rregullt aktiviteteve të biznesit në Rusi”, deklaroi shefi i koncernit Roland Busch të enjten (12.05) duke prezantuar shifrat aktuale të xhiros së koncernit. Siemens ndërkohë ka marrë masat për ta ndërprerë aktivitetin dhe biznesin industrial.
Menjëherë pas fillimit të sulmit ndaj Ukrainës u pezulluan të gjitha bizneset e reja dhe furnizimet në Rusi dhe në Bjellorusi. Tani do të pasojë tërheqja nga tregu rus. “Ky vendim nuk ka qenë i lehtë për ne”, deklaroi Busch duke iu referuar detyrimit kundrejt klientëve dhe të punësuarve në zonat e prodhimit. Ne jemi duke shqyrtuar pasojat për të gjithë personelin dhe do të „vazhdojmë t’i mbështesim ata me të gjitha mundësitë”.
Prej shumë kohësh aktivitet në Rusi
Në vitin 1847 Werner Siemens, një lejtnant artilerie, dhe mjeshtri i mekanikës Johann Georg Halske themeluan në Berlin kompaninë si një “Punishten e prodhimit të telegrafëve Siemens&Halske”. Kjo ndërmarrje berlineze u zhvillua brenda pak dekadash nga një punishte, që krahas telegrafëve kryesisht ndriçuesve të sinjalistikës për hekurudhat prodhonte edhe izolantë telash dhe presa me ujë, në një ndër sipërmarrje më të mëdha në botë të elektroteknikës.
Siemens bënte pjesë ndër të parat sipërmarrje industriale shumëkombëshe në Europë. Prodhimi jashtë vendit nisi që në vitin 1863, kur Siemens themeloi një punishte kabllosh në Woolwich të Anglisë, pas kësaj nisën marrëdhëniet me Rusinë. Berlinezët ndërtuan një punishte kabllosh në Shën Peterburg. Në perandorinë e carëve Siemens u angazhua në vendosjen e lidhjeve telegrafike mes Moskës dhe Shën Peterburgut.
Sot Siemens është një koncern i përzier me aktivitet ndërkombëtar. Bërthama e tij është shoqëria aksionare e regjistruar në bursë Siemens AG, në të cilën bëjnë pjesë një sërë koncernesh gjermane dhe ndërkombëtare. Për koncernin me seli në Berlin dhe në Mynih punojnë mbi 300.000 vetë në 125 vende prodhimi në Gjermani dhe në 190 vende të tjera. Më 2021 xhiroja e koncernit ka qenë 62,3 miliardë euro.
Me Rusinë kohët e fundit vazhdimisht probleme
Bashkëpunimi me perandorinë e carëve dhe më pas me Bashkimin Sovjetik ka qenë për Siemens në përgjithësi pa probleme, me përjashtim të dy luftrave botërore. Por kjo ndryshoi me ardhjen e Putinit në krye të federatës ruse, që vazhdimisht ka pasur konflikte me institucionet ndërkombëtare dhe më vonë është përballur edhe me sanksione e bojkotime.
Në vitin 2021 nëpunësit e doganës në aeroportin e Frankfurtit bllokuan një dërgesë të Siemens me komponentë komandimi dhe module llogaritëse. Kjo dërgesë ishte destinuar për koncernin atomik rus Rosatom, i cili me sa duket do ta transportonte më tej paketën për në centralin bërthamor iranian Bushehr. Pasimi në këtë mënyrë i dërgesës me komponentë të Siemens do të përbënte shkelje të embargos së BE-së ndaj Iranit. Siemens deklaroi, se nuk dinte gjë për pasimin e dërgesës për në Iran.
“Veprim i papranueshëm”
Kryesia e koncernit jo gjithmonë ka qenë e prerë dhe është përpjekur që të avancojë bizneset me Rusinë edhe përtej sanksioneve. Ish-shefi i Siemens Joe Kaeser vetëm dy javë pas aneksimit përkundër së drejtës ndërkombëtare të Krimesë nga Rusia udhëtoi për në Moskë, ku u takua me presidentin Putin dhe me shefin e hekurudhave ruse Vladimir Jakunin.
Kaeser lëvdoi “marrëdhëniet plot mirëbesim” me Rusinë duke premtuar, se nuk dëshiron „të influencohet nga turbullirat afatshkurtëra”. Koha e zgjedhur për këtë vizitë si dhe deklarimi i Kaesers ngjallën dyshimin asokohe, se Siemens do ta minimizojë rëndësinë e aneksimit të Krimesë duke vënë fitimin mbi të drejtën ndërkombëtare dhe interesat europiane.
Siemens është dyshuar gjithashtu, se i ka shkelur sanskionet duke furnizuar në Krime turbina gazi.Sipas marrëveshjes këto ishin parashikuar për ndërmarrjen e elektricitetit në Rusi. Por gazeta ruse Vedomosti zbuloi, se turbinat kishin qenë të destinuara për Krimenë – Siemens pavarësisht sanksioneve donte të furnizonte në Sevastopol dhe në Simferopol.
Atëherë qeveria e kritikoi koncernin: „Eshtë përgjegjësi e sipërmarrjes, që të respektojë ligjet e eksportit dhe sanksionet”, u shpreh atëherë zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë. Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert pati bërë fjalë për një „veprim tërësisht të papranueshëm”.
Siemens mund ta përballojë shkëputjen nga Rusia
Aktualisht Siemens i ka ndjerë sanksionet ndaj Rusisë. Koncerni në Mynih fitimin e tremujorit të dytë të vitit 2021/22 e kalkuloi me rreth 600 milionë euro. Kryesisht ka pasur humbje në biznesin me trenat dhe tenderimet.
Me 1,8 miliardë euro – sipas agjencisë Reuters – në tremujorin e kaluar fitimi në biznesin industrial, sipas analistëve, ka qenë nën parashikimet me rreth 2,4 miliardë euro. Fitimi ra me 49 përqind në 1,2 miliardë euro, në vend të 1,5 miliardë që pritej.
Siemens së fundi në Rusi mbulonte vetëm rreth një përqind të xhiros së përgjithshme. Kërkesa mbarëbotërore për produktet e Siemens vazhdon të jetë e lartë. Volumi i porosive është përmirësuar me një të tretën në rreth 16 përqind. Shefi i koncernit Busch theksoi megjithatë, se është një mjedis ekstremisht i vështirë: krahas luftës në Ukrainë koncerni po ndjen edhe pasojat e pandemisë Corona dhe ka rrezik në rritje sa i përket sigurimit të pjesëve elektronike të këmbimit, lëndëve të para dhe logjistikës.