Partitë vazhdojnë konsolidimin e radhëve për komunën e Tetovës

Partitë politike shqiptare vazhdojë garën për të siguruar mbështetjen për kandidatët e tyre për në rrethin e dytë në komunën e Tetovës. Arijanit Hoxha nga Lëvizja BESA, thotë se është në kontakt me partitë tjera por nuk jep detaje nga bisedimet. Hoxha thotë se votuesit dëshirojnë ndryshimin e pushtetit në këtë komunë dhe pret që kjo edhe të ndodhë në balotazhin më 31 tetor.

Absolutisht atë që e shohim në terren se të gjithë e kanë kuptuar se nuk ka hapësirë që të bisedohet për pazare politike, sikur dikush i mban votat e qytetarëve nëpër çanta. Oferta politike është decizive se kush do të fitojë. Ne jemi të bindur se me mesazhin politik që është dërguar në Tetovë 2/3 e votuesve janë kundër udhëheqësisë aktuale dhe ne jemi të bindur me këtë qasje që e kemi pasur edhe në rrethin e parë edhe në rrethin e dytë se Tetova do të ketë ndryshim dhe kryetari i ardhshëm do të jetë z. Bilall Kasami -tha Arijanit Hoxha, Lëvizja BESA.

Ndërkohë nga ASH-AAA ende nuk kanë vendim përfundimtar. Përfaqësuesit e partive të opozitës shqiptare thonë se së shpejti presin të ketë marrëveshje konkrete për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Nënvizojnë se marrëveshja mund të përmbyllet deri të dielën, ku do të dihet qartë se nga kush do të mbështeten në komunat ku kanë nevojë dhe kë do të mbështesin në komunat ku nuk janë në rrethin e dytë. Ndërkohë vendim zyrtar nuk ka edhe nga VMRO-DPMNE lidhur me Tetovën. Kreu i partisë Hristijan Mickovski tha se nesër në Ohër do të mbajnë mbledhje të strukturave partiake dhe do të sjellin vendimin për rrethin e dytë zgjedhor.