Partitë, të gatshme për hapjen e Kodit Zgjedhor

Të gjitha partitë politike janë të gatshme për të gjetur zgjidhje për ndryshime të Kodit Zgjedhor, por nuk ka asnjë hap konkret në këtë drejtim. Edhe pse anëtarët aktual të KSHZ-së kanë mandat deri në janar, ende nuk ka asnjë negociatë konkrete për zgjidhjet e reja ligjore. Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska akuzon VMRO-DPMNE-në se nuk i respekton marrëveshjet e arritura për këtë çështje.

“Për fat të keq edhe krahas marrëveshjeve që u bënë para dy a tre viteve, VMRO-DPMNE nuk qëndroi në fjalë. Si pjesë e atyre bisedimeve ne edhe kërkuam vendosjen e listave të hapura. Për fat të keq ne nuk gjetëm pajtueshmëri në atë temë- deklaroi Radmilla Shekerinska, LSDM. Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë pushtetin se nuk merr parasysh kërkesat e opozitës në ndryshimin e kodit zgjedhor.

“Të flitet edhe për një rreth zgjedhor në zgjedhjet lokale, para së gjithash për arsye ekonomike më tej edhe për të gjitha arsyet tjera që pushteti të mos ketë mundësi të bëjë presion ndaj opinionit, ryshfet dhe të gjitha manifestimet e tjera kriminele të pushtetit që i pamë gjatë zgjedhjeve. Nga ana tjetër të mbyllet edhe çështja se çfarë do të ndodhë me diasporën e Maqedonisë për zgjedhjet lokale- pohoi Naum Stoillkovski, VMRO.

Sipas BDI-së, pas bisedimeve paraprake që kanë bërë partitë, zgjedhjet e ardhme lokale duhet të mbahen ne lista të hapura. “Në marrëveshje politike e kemi që në zgjedhjet e ardhshme lokale të mbahen me lista të hapura për listën e këshilltarëve, kështu që edhe kjo dakordësi është arritur dhe duhet të jenë pjesë e ndryshimeve të kodit zgjedhor që duhet të miratohen para 15 janarit- tha Artan Grubi, BDI.

Ndërsa nga koalicioni ASH-AAA thonë se gjatë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, do të insistojnë në pastrimin e listës zgjedhore dhe lista në hapura edhe në zgjedhjet parlamentare. “Konsiderojmë që e para që duhet të bëhet në reformë është pastrimi i Listave Zgjedhore, e dyta edhe kodi zgjedhor vetvetiu të bëhet me lista të hapura. Për mënyrën e numrit të njësive zgjedhore do të bisedojmë në kuadër të koalicionit dhe bashkërisht do të vendosim- tha Skënder Rexhepi, ASH-AAA

OSBE/ODIHR-ja pothuajse në secilin raport pas zgjedhjeve ka theksuar nevojën e ndryshimeve thelbësore në legjislaturën ligjore. Kodi aktual zgjedhor është ndryshuar më shumë se 30 herë deri më tani, zakonisht, para secilit cikli zgjedhor./Alsat