Partitë shqiptare në Maqedoni kërkojnë shkarkimin e Ambasadorit të Kosovës, Gjergj Dedaj

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut kërkojnë shkarkimin e Ambasadorit të Kosovës, Gjergj Dedaj.

Kjo pasi që gjatë ditës kur u votua Protokolli për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj e ka uruar këtë ngjarje duke postuar një fotografi të deputetëve të BDI-së, shkruan Gazeta Express.

Ky postim ka ngjallur reagime të shumta nga partitë tjera shqiptare. Disa nga ato kanë kërkuar përgjigje nga MPJ e Kosovës madje edhe shkarkimin e Dedaj-t nga pozita e Ambasadorit në RMV.

Zëdhënësi i Alternativës ka shprehur shqetësimin e partisë së tij lidhur me veprimet e tilla të ambasadorit Dedaj.

“Kjo është çështje për të cilën do të duhej të prononcohet Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, ndërsa ne jemi të bindur se Ambasadori e di fare mirë se integrimi në NATO nuk është meritë e veçantë partiake e asnjë partie, por kontribut i të gjithë shqiptarëve në vendin tonë, pa marrë parasysh përkatësinë politike dhe partiake” thotë Orhan Murtezani për Gazetën Express.

Edhe reagimi i Lëvizjes Besa ka qenë i ashpër në drejtim të ambasadorit të Kosovës. Nga kjo parti, zëdhënësi Elmedin Memishi thotë që Ambasadori i Kosovës përfaqëson shtetin e tij, e jo një parti politike.

“Gëzon fakti që në Kosovë kemi qeveri te re. Shpresojme që këto ndryshime së shpejti të reflektojnë edhe në diplomacinë Kosovare. Ambasadori i Kosovës përfaqëson shtetin e tij dhe jo ndonjë parti politike atje, rrjedhimisht ai duhet të ruaj ekuidistancë me gjithë spektrin politikë në Maqedoni e Veriut pa marrë parasysh preferencat e tij personale”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Më herët ka reaguar edhe nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, i cili ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të PDK-së, siç e quan ai.

“Asgjë nuk mbetet nga demokracia kur haptazi ambasadori i PDK-së në BDI shpreh simpatinë e tij! Kujtojmë ambasadorin se detyra e tij si diplomat është të punojë për mbështetje të interesit të Kosovës për shqiptarët e RVM-së, e jo e kundërta; mbështetja e interesave partiake të partive ku ai emërohet ambasador. Gjestin e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj e konsideroj si përçarje ndër shqiptarët dhe për këtë shkak për ne ky diplomat është “a persona non grata” dhe i njëjti duhet të jetë i shkarkuar” shkruan Elmi Aziti në profilin e tij në Facebook.