Partitë përgatiten për zgjedhje pas shpërndarjes së Parlamentit!

Partitë kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Përfaqësues partiak zbulojnë që në periudhën e ardhshme, prioritet do t’u japin programeve me të cilat do të paraqiten para elektoratit. Disa prej tyre thonë që i kanë filluar procedurat për kandidatimin e kandidatëve për listat e deputetëve dhe presin të mbarojnë ndërsa një pjesë thonë që ka ende kohë. LSDM lënë hapësirë që nëpër lista të ketë edhe kandidatë jo- partiak. Risi është rritja e numrit të grave për 10% gjegjësisht 50% burra dhe 50% gra.
“Mandati i ardhshëm i deputetëve në Kuvend do të jetë një nga përbërjet me përgjegjësi më të madhe që deri më tani e ka pasur LSDM në Kuvend, pikërisht për shkak të këtyre procedurave që u ofrojnë mundësi të gjithëve. Ne si parti, jemi të hapur dhe të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë qytetarët që i njohin dhe i mbështesin politikat e LSDM-së. Me vet aktin, që publikisht thërrasim edhe ata që s’janë anëtarë të LSDM-së, të kontribuojnë dhe të aktivizohen, me këtë tregojmë që nuk kemi qëllim të vendosim vetëm njerëz partiak”, tha Kostadin Kostadinov- LSDM.

Edhe nga VMRO DPMNE thonë që po bëjnë sondazhe dhe matje të rejtingjeve për personat e mundshëm potencial që mund të gjenden në listat e deputetëve.

Do të jenë persona me integritet dhe kredibilitet si dhe do të pranohen nga komitetet tona të komunave. Do të ketë figura të reja, por do të ketë edhe kombinim të përvojës, persona të pa- komprometuar, me të kaluar të pastër dhe dosje të pastër, me vizion të shëndoshë dhe të qartë dhe që do të përshtatet me programin tonë “Ripërtëritje e Maqedonisë”…të gjithë këto figura do të pranohen dhe në njëfarë mënyre, përmes anketave, do të jenë përzgjedhje e qytetarëve dhe komiteteve të komunave të VMRO DPMNE-së – u shpreh Dimçe Arsovski- VMRO DPMNE.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se këto ditë do të flasin për listat e deputetëve, por se njerëzit që do të gjenden në to do të jenë me integritet. Tani për tani janë përqendruar në programin e partisë me të cilin do të dalin para qytetarëve.

Këtë herë, Aleanca po garon si fituese e zgjedhjeve për të fituar legjitimitetin tek shqiptarët. Bazuar në këtë, mund të konkludoj se Aleanca për Shqiptarët do të jetë më e përgatitur dhe do të garojë me më të mirët në lidhje me kuadrin dhe potencialin politik që do të përfaqësojë subjektin tonë politik në listat tona. Mund të them që do të ketë njerëz të dëshmuar, me prapavijë intelektuale, kombëtare, profesionale, këtë e kemi dëshmuar edhe në 5 vitet e fundit – deklaroi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani për Alasat theksoi se edhe pse prioritet është marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në, megjithatë partia së shpejti do të fillojë analizat e listës së deputetëve.

Procesi i zgjedhjes së kandidatëve më të mirë për deputetë së shpejti do të fillojë me analizë të mendimit publik. Angazhimi ynë kryesor do të jetë përzgjedhja e kandidatëve që do të sigurojnë vende pune për të gjithë, të cilët do të angazhohen për integrimin evropian, drejtësi jo selektive, veting, zhvillim ekonomik dhe një jetë më të mirë – tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Palët nuk zbulojnë nëse bartësit e listave do të jenë kuadro partiake me përvojë, siç e ka treguar praktika e deri tanishme.