Partitë në garë për sigurimin e shumicës së re parlamentare


Opozita shqiptare ka vendosur të protestojë, kundër siç tha manipulimit të procesit zgjedhor më 15 korrik, në zonat e banuara me shqiptar para se gjithash në rajonin e Kërçovës. Protesta do të mbahet të hënën edhe pse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve procesin zgjedhor e ka vlerësuar në rregullt ndërsa ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e partive politike dhe pas skadimit të afatit të ankesave në Gjykatën Administrative do të certifikojë rezultatin zgjedhor.

“Fare nuk kishte dëshmi. Të shkruash në një ankesë me dy-tri fjali me pretendimin për prishjen e procesit zgjedhor dhe pa dhënë argumente për të apo pa respektuar procedurat e ankimimit pa nënshkrim të ankesave apo pa plotësim të procesverbaleve e lëshimeve tjera asnjëherë ankesa të tilla nuk do të pranohet. Të gjitha ankesa që ishin në mbi 2,100 në numër kishin lëshime gjatë hartimit andaj edhe janë hedhur poshtë” ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Por, sipas drejtuesve të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, vjedhja e votave apo mbushje e kutive nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka ndodhur një njësinë e pestë zgjedhore. Në disa vendvotime të kësaj njësie, sipas opozitës, BDI ka fituar me një diferencë për rreth 11 mijë votave kundrejt opozitës shqiptare, ndërkohë që në të gjitha njësitë tjera rezultati pothuajse ka qenë i barabartë.

“Me këtë marsh ne duam të shprehim revoltën tonë që të mos keqpërdoret vullneti politik i shqiptarëve, pasi kjo nuk është hera e parë. Tani 18 vjet kemi vjedhje të votave, mbushje të kutive. Le të hapin një prej tyre dhe do të shohim se kanë votuar edhe njerëz që nuk jetojnë. Nëse kjo nuk dëshmohet ne jemi të gatshëm t’i dorëzojmë të gjithë 12 mandatet që i kemi fituar” ka deklaruar për mediat Arben Taravari përfaqësues i koalicionit “Aleanca dhe Alternativa”. Vërejtje për procesin zgjedhor ka edhe VMRO-DPMNE-ja e cila ka kërkuar numërimin me dorë të të gjitha fletëvotimeve por kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë.

VMRO-ja ndërkohë pretendon se është fituese e zgjedhjeve dhe organet e partisë kanë vendosur që të nisin negociatat me partitë tjera për formimin e shumicës së re parlamentare. “Komiteti qendror i VMRO-DPMNE-së njëzëri ka miratuar vendimin për të autorizuar kryetarin Hristijan Mickovski që të fillojë negociatat me partitë tjera për formimin e shumicës se re dhe më pas edhe kabinetin e ri qeveritar” ka deklaruar Pançe Toshkovski anëtar i komitetit të VMRO-DPMNE-së. Ndërkohë fushatë për marrjen e postit të kryeministrit po zhvillon edhe BDI-ja e cila në paraqitjet nëpër mediat po kërkon unifikimin e partive shqiptare për të kushtëzuar pjesëmarrjen në qeveri me zgjedhjen e Naser Zyberit për kryeministër.

Megjithatë kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, ka bërë të ditur se negociatat për qeverinë do t’i nisë pas festës shtetërore të 2 gushtit, por ia ka bërë të qartë BDI-së se mandatar për formimin e qeverisë së re do të jetë ai vetë, si kryetar i partisë fituese në zgjedhje.
LSDM-ja në zgjedhjet e 15 korrikut ka fituar 46 ulëse në kuvend, VMRO-ja 44, BDI-ja 15, opozita shqiptare 12, E Majta 2 dhe 1 Partia Demokratike Shqiptare.