Partitë keqpërdorin fëmijë në fushatën elektorale


Video-materialet reklamuese të fushatës zgjedhore, pothuajse të të gjitha partive politike në garë, kanë pamje me fëmijë nën moshën 18 vjeçare, si protagonist kryesor ose si mbështetës të mesazhit që transmetohet. Kodi zgjedhor në mënyrë të qartë ndalon pjesëmarrjen e fëmijëve në programin e paguar politik por nuk ka dispozitë që rregullon këtë çështje në format e tjera të promovimit si ata në rrjetet sociale.

Kodi Zgjedhor:

“NUK LEJOHET PJESËMARRJA E TË MITURVE NË REKLAMIMIN E PAGUAR POLITIK.”

Për ambasadën e parë të fëmijëve në botë “Megjashi” përdorimi i fëmijëve për fushatë është fenomen shumë shqetësues. Ata kanë bërë rishtas disa apele në Prokurori, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të ndërmarrin masa.

Mendojmë se secili reklamim i tyre kur fëmijët janë në fokusin e tyre në aspektin e dekorit ose ku manipulohet me ndjenjat e tyre dhe nuk e kanë për qëllim ta përmirësojnë jetën e fëmijëve me platformat e tyre politike, është keqpërdorim. Ne presim që partitë politike të tregohen serioze dhe shpresojmë që institucionet do të jenë në nivelin e detyrës.”-tha Dragi Zmijanac, “Megjashi”.

Secila formë e përdorimit të fëmijëve për reklamim, qoftë me pamje të qartë ose jo, sipas “Megjashit” është, në fakt, keqpërdorim i tyre.

I inkurajojmë të kenë konkurrencë në platformat e tyre për mirëqenien e fëmijëve, do ta ndjekim zbatimin e tyre, por assesi të mos i shfrytëzojnë si dekor, folklor ose të bëjnë keqpërdorim të ndjenjave dhe emocioneve të fëmijëve në spotet e tyre.”-pohoi Dragi Zmijanac, “Megjashi”.

“Megjashi” ka regjistruar disa raportime për keqpërdorime të këtilla dhe thonë se keqpërdorim të këtillë të fëmijëve nga ana e partive politike ka pasur në çdo fushatë deri më tani. Ata kërkojnë që t’i jepet fund këtij fenomeni.