Partia Lëvizja e Turqve: “Nuk do të bashkëpunojmë me aktorë politikë që kërc*ënojnë të ardhmen e vendit”

Nga Partia Lëvizja e Turqve në një kumtesë lëshuar mediave, theksojnë se nuk do të bashkëpunojnë me aktorë politikë të cilët kërcënojnë të ardhmen e vendit. Nga kjo parti, në të cilën kryetari i saj Enes Ibrahim është deputet, shtojnë se si parti serioze parlamentare janë të gatshëm të japin kontribut për tejkalimin e kësaj krize.

“Si parti serioze parlamentare, jemi të gatshëm të japim kontributin maksimal për tejkalimin e kësaj krize politike. Megjithatë, Partia Lëvizja e Turqve nuk do të bashkëpunojë kurrë me ata aktorë politikë që me pikëpamjet e tyre anti-BE, anti-NATO, antidemokratike rrezikojnë të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe me pikëpamjet dhe provokimet e tyre radikale ndezin intolerancën etnike dhe fetare. U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike dhe qytetarëve me mendje të lirë që të distancohen nga aktivitete të tilla të dëmshme politike”, thuhet në kumtesë e kësaj partie.

Ndër të tjera, theksojnë se do të vazhdojnë të përkushtohen për një shoqëri në të cilën harmonia dhe barazia do të jenë në plan të parë. Ata shtojnë se Maqedonia e Veriut me shumë punë dhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë do të arrijë anëtarësimin e dëshiruar në BE.