Parti e re në Turqi? Erdoganit i ikin miqtë


Ish-ministri i Financave dhe bashkudhëtar për një kohë të gjatë i presidentit turk, Ali Babacan ka bërë të ditur, se me ndihmën e presidentit të dikurshëm turk, Abdullah Gül do të krijojë një parti të re në vjeshtë. Në opinionin turk ndërkohë është përfolur, se projektit po i jepet vetëm dora e fundit. “Po punohet që të zhvillohet një vizion i një përmase globale”, thotë një person nga rrethi i afërt i themeluesit të partisë.

Kush e njeh Babacan, e di se sa pretendues është ish-ministri. Para se ta bëjë diçka publike, ai e planifikon çdo detaj. Babacan është një emër shumë i njohur për aftësitë e tij drejtuese në politikën ekonomike të Turqisë. Nuk ka asnjë çudi që krijimi i partisë së re pritet me shumë interes. Njëra palë thotë, se ai është njeriu që do t’i japë fund lojës së AKP-së, Babacan ka kapacitetin të bëhet president, thonë të tjerët. Krahas Babacan përmenden edhe emra të tjerë të njohur që mund t’i bashkangjiten partisë së re. Sadullah Ergin, që kanë qenë ministër i Drejtësisë, Besir Atalay që u angazhua për procesin e paqes me kurdët, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Hasim Kilic apo ish-ministri i Ekonomisë, Mehmet Simsek.

Protestat e Gezit si pikënisje

Duhen kujtuar protestat e Gezit në vitin 2013 për të kuptuar, se pse emrat e përmendur më lart i kthejnë kurrizin Erdoganit dhe ndërmarrin një iniciativë të tyren. Atëherë kaloi pa vëmendje në opinion, që disa politikanë donin një qëndrim shumë më diplomatik se presidenti turk. Në fund të fundit mes protestuesve kishte edhe fëmijë të politikanëve të AKP-së. Baballarët kishin dëshiruar atëherë një qëndrim më pajtues. Megjithatë ata nuk e hapën gojën. (shën. red: Në protestat  e Parkut Gezi shpërtheu një valë proteste në mbarë Turqinë kundër një projekti ndërtimi të planifikuar në hapësirën e Parkut Gezi në Stamboll. Protestat u shkallëzuan, kur policia ndërhyri me dhunë kundër demonstruesve. Qeveria turke u desh të dëgjonte atëherë shumë kritika.)

Nuk është se nuk kishte atëherë qëndrime të ndryshme tek AKP, por jashtë nuk depërtoi asgjë. Sipas një analisti politik, kjo temë është pengesa më e madhe për vetë partinë e Babacanit. Në kohët më të vështira ai nuk ka qenë aspak kritik. Ai vazhdoi punën si më parë. Sipas këtij analisti, sa kohë që Babacan nuk reflekton, ai nuk është letër e bardhë. I njëjti problem shfaqet edhe për personat e tjerë, që janë pjesë e grupit që do të themelojë partinë e re. Kjo shpjegon po ashtu, pse ka përpjekje për të prezantuar fytyra të reja të pakonsumuara, mes tyre edhe akademikë nga jashtë.

“Babacan duhet të shpjegojë pozicionin e tij”

Një vëzhgues politik, që e ndjek me vëmendje krijimin e partisë së re, thotë, se vetëkritika e Babacanit është e rëndësishme, por më e rëndësishmja është një vizion i qartë për të ardhmen. Vizioni do duhej të ishte, që ata do bëjnë të kundërtën e asaj që ka bërë partia AKP në shtatë vitet e fundit. Nuk do kishte pasur krizë ekonomike në këto përmasa, nëse do t’i kishte ardhur radha rregullimit financiar të Babacanit.

Babacan punoi vetë për një rregullim të tillë si ministër, por u pengua nga Erdogani. Në një debat në vitin 2010, Erdogan tha që nuk është e nevojshme për të krijuar një FMN shtojcë (FMN i ofron programet e ndihmës kundrejt reformave strukturore). Në fund projekti i Babacan u bllokua, megjithëse ai ishte shumë i rëndësishëm për të. Babacan atëherë ka qenë shumë i zemëruar, por e pranoi gjendjen dhe iu kthye axhendës së përditshme.

Babacan ka imazhin e një njeriu me vizion, punëtor dhe të menduar. Nga ana tjetër ka kritika. Ai duhet të kishte mbajtur më shumë qëndrim të qartë, sepse ishte në mesin e skenës politike, kur në Turqi demokracia po rrezikohej, kishte poste të rëndësishme dhe nuk shfaqi asnjë rezistencë. Teserën e AKP-së ai ende nuk e ka dorëzuar. Megjithatë në vitin 2023 në zgjedhjet në Turqi, partia e Ali Babacan mund të jetë një alternativë e rëndësishme për partinë qeverisëse, AKP. Por para, se të ecet me partinë e re drejt së ardhmes, duhet të sqarohet njëherë qëndrimi i tij në të shkuarën./DW