Parlamenti Studentor i UT organizoi turne në volejboll

Me relaksimin e masave nga autoritetet shëndetësore dhe ato qeveritare, Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës, me iniciativë të një grupi të studentëve, organizoi turne në volejboll. Ky turne përveç karakterit garues, kishte për qëllim dhënien e mesazhit për studentët, rininë tetovare dhe të gjithë qytetarët se bota dalëngadalë po i kthehet normalitetit pas tronditjeve që pësoi nga pandemia globale Covid-19.

Shumë studentë dhe qytetarë kanë marrë pjesë në ndeshjet që janë zhvilluar dhe i kanë përkrahur skuadrat e tyre të preferuara. Në finalen e këtij turneu, që u zhvillua më 3 qershor në terrenet sportive të UT-së i pranishëm ishte edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me Kryetaren e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhakun, dhe Drejtorin e Qendrës së Sporteve Elmedin Ametin.

Vendin e parë në këtë turne e fitoi skuadra “Raketa”, në vendin e dytë u radhit skuadra “Xixëllonja”, kurse vendin e tretë e zuri skuadra “Anonim 006”. Fituesve të këtij turneu, kupën kampion, ua ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës i falënderuan të gjithë studentët pjesëmarrës në këtë turne por edhe sportdashësit e tjerë të cilët me prezencën dhe mbështetjen e tyre e bënë edhe më të bukur këtë eveniment sportiv. Po ashtu Parlamenti Studentor në të ardhmen do të përkujdeset edhe për organizimin e shumë aktiviteteve tjera arsimore, kulturore dhe sportive.