Parkingu nëntokësor i Strugës ende askund, Ramiz Merko e premtoi në zgjedhjet e vitit 2017


Në programin parazgjedhor të Ramiz Merkos në vitin 2017 u premtua parkingu nëntokësor në qendër të Strugës. Por edhe pse kanë kaluar 4 vite nuk ka asnjë lëvizje në teren për këtë projekt të nevojshëm për struganët. Parkingu ishte paraparë me 500 vende dhe me këtë do të zgjidhej problemi shumëvjeçar i qytetit, sidomos gjatë sezonit veror. Në vitin 2018 Ramiz Merko tha se po përgatisin dokumentacionin.
“Kemi premtuar një parking nëntokësor që do e bëjmë në sheshin e qytetit me partneritet privato-publik. Do me thënë po e përgatisim dokumentacionin dhe do e shfaqim të njëjtin. Do të bëjmë tenderim ndërkombëtar për 35 vite të mundet dikush ta shfrytëzojë por pas 35 vitesh do të kemi një pasuri për Komunën”, tha Merko më datë 22.05.2018.

Por edhe tani që janë afruar zgjedhjet lokale të vitit 2021, ky projekt ende nuk ka filluar të realizohet.
Në prill është bërë vetëm shpimi e tokës, për të studiuar vendin ku do të ndërtohet parkingu nëntokësor. Në muajin maj të këtij viti në Këshillin e Komunës së Strugës u prezantua projekti ideor për parking nëntokësorë me investitor “As Invest” në të cilin thuhet:

“Ndërtimi i parkingut nëntokësor do të lehtësonte ngarkesat e mëdha, sidomos gjatë sezonit turistik. Janë paraparë elemente si amfiteatër i hapur mbi hyrjen dhe daljen e parkingut nëntokësor. Element tjetër i veçantë është sjellja e Sahat Kullës, që ka ekzistuar në të kaluarën dhe që nevojitet patjetër të kthehet. Gjithashtu si pjesë e projektit ideor është edhe “Mozaiku i pareterit”, përmendorja e Nënë Terezës, ideja e propozuar për ndërtimin e objektit për parkingun nëntokësor është i rregulluar në dy nivele nëntokësore si dhe rregullimi i sheshit të qytetit të Strugës “Nënë Tereza””.

Parkingu nëntokësor që është paraparë të ndërtohet, nis nga sheshi “Nënë Tereza” në qendër të qytetit, e deri tek Hotel Drim. Edhe pse Merko këtë parking e kishte paraparë ta ndërtonte në këtë mandat, deri më sot nuk është bërë asnjë lëvizje në terren, ndërsa deri në zgjedhjet lokale kanë mbetur vetëm dy muaj.