Parandalohet kontrabanda me mallra në kufirin Maqedoni e Veriut-Kosovë, sekuestrohen veshmbathje


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar edhe një rast tjetër të kontrabandës me mallra.

“Policia e Kosovës, konkretisht Njësitet patrulluese të Policisë Kufitare DRK-Lindja, konkretisht Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare-Hani i Elezit, gjatë realizimit të detyrave dhe aktiviteteve policore në zonën kufitare në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), më datë 21.09.2024, duke u bazuar në informatat inteligjente dhe gjatë aktiviteteve taktiko-operative në teren, rreth orës 20:00 në fshatin Seqishte të Hanit të Elezit, kanë vërejtur një automjet të dyshuar duke tentuar të kaloj vijën kufitare dhe menjëherë kanë marrë veprime për ta ndaluar të njëjtën.Drejtuesi i automjetit, me iniciale (Z.A.) i moshës rreth 40 vjeçare M/SH/RMV me të vëne re se është pikasur nga patrullat policore kufitare, duke tentuar për t’u larguar (ik) në drejtim të territorit të RMV-se, ka shkaktuar vet aksident me dëme materiale”, njofton Policia.

Policia bën me dije se gjatë tërheqjes së automjetit me targa të Maqedonisë së Veriut dhe gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se brenda tij kishte të ngarkuar 120 palë këpuce (patika) dhe 260 palë veshje (duksa dhe trenerka).

“Dyshohet se malli është tentuar të kontrabandohet nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e Republikë së Maqedonisë së Veriut përmes rrugëve malore. Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, ku me urdhër të tij, i dyshuari dërgohet në mbajtje 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminal doganor për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.