Paralajmërohet reduktimi i përfitimeve të funksionarëve

Zgjidhja sistematike për mangësitë në funksionimin e institucioneve sa i takon organizimit, optimizimit dhe racionalizimit të punës së tyre dhe luftë kundër korrupsionit, premton zëvendëskryeministri Lupço Nikollovski. Ai paralajmëroi analizë thelbësore me të cilën do të vërtetohet se cilat institucione ose organe janë të panevojshme, cilat mund të bashkohen dhe cilat duhet të përforcohen dhe të ndihmohen nga pushteti.

Kemi “Ndërmarrje publike me ekonomizimin e objektit të sportit”, kemi “Agroberza”, nuk funksionojnë. Kemi shumë institucione të tilla që do të angazhohem plotësisht të shfuqizohen. Por, Enti shtetëror i Revizionit, Komisioni Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, trupat e pavarur rregullator, ajo që është nën pushtetin ekzekutiv dhe ku ka nevojë për kuadro, kompetencë, profesionalizëm, njohuri … përforcimi i trupave të tillë dhe racionalizimi i shpenzimeve të panevojshme, institucioneve, trupave, komisioneve, do të jetë në rend dite.”-tha Lupço Nikollovski, zëvendëskryeministër për luftë ndaj korrupsionit.

Disa institucioneve u mungojnë kapacitetet ose mekanizmat ligjore për të vepruar në rast të dyshimeve për shkelje nga ana e funksionarëve. Shembull për Nikollovskin janë raportet e Entit Shtetëror të Revizionit që nuk merren parasysh nga askush. Prioritet për të është zgjidhja sistematike ligjore për kontrollimin e pronës së funksionarëve. Zëvendëskryeministri tha se do të rishikohen edhe përfitimet dhe lukset e funksionarëve të pushtetit qendror, deputetëve dhe drejtorëve të institucioneve të ndryshme.

Nikollovski shprehet i përcaktuar qartë drejt këtij synimi por nuk ka akoma një vlerësim të përgjithshëm se sa kohë mund t’i duhet vendit për këto ndryshime. Ai thotë se partnerët e koalicionit qeveritar janë në marrëveshje për zbatimin e programit qeverisës dhe nuk pret të hasë në kundërshtim nga ana e tyre për këtë hap.
Do të bëjmë llogari se në sa etapa dhe në çfarë mënyre do t’i bëjmë ndryshimet në periudhën e ardhshme. Nuk do të nxitojmë në këtë proces por do të sigurojmë një proces publik dhe transparent”-pohoi Lupço Nikollovski, zëvendëskryeministër për luftë ndaj korrupsionit.