Paralajmërohen dënime për ata që dalin nga shtëpitë për 1 Maj


Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që Ditën e Punëtorëve, më 1 Maj, të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Zakonisht me këtë datë, qytetarë të shumtë dalin në Parkun e Gërmisë dhe parqet të tjera në Kosovë. Por këtë vit, ata që dalin, do të mund të dënohen.

“E kuptojmë shumë mirë situatën lidhur më 1 majin, që në vendin tonë është edhe si traditë dalja masive e qytetarëve, megjithatë kërkojmë mirëkuptimin tuaj, që edhe kësaj radhe të mos dilni dhe të zbatoni vendimet e Qeverisë, në të kundërtën do të dënoheni sipas dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Kjo Ministri ka kërkuar nga qytetarët “që të vazhdojnë të respektojnë vendimin për kufizim të lëvizjes të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19”.

“Dëshirojmë të ju rikujtojmë se vazhdojnë të mbeten në fuqi të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës, për mbylljen e parqeve dhe të gjitha hapësirave publike dhe nuk do të lejohet grumbullimi i qytetarëve në masë”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 799 persona janë infektuar, 249 janë shëruar derisa 22 kanë vdekur, si pasojë e këtij virusi.