Paralajmërimi i shkencëtarëve: Ndryshimet klimatike mund të sjellin zhdukjen e njerëzimit

Ndryshimet klimatike mund të rezultojnë katastrofike për njerëzimin nëse rritja e temperaturave globale është përfundimisht më e lartë se sa pritej (mbi tre gradë Celsius në krahasim me nivelet para-industriale) ose nëse shkakton një zinxhir ngjarjesh, një skenar që deri më sot “është anashkaluar në mënyrë të rrezikshme, ” paralajmëron një studim ndërkombëtar i udhëhequr nga shkencëtarët nga Universiteti Britanik i Kembrixhit.

Sipas Protothemës, Shkencëtarët po japin alarmin se sado e vogël të jetë mundësia e një kataklizmi të tillë, nuk mund të përjashtohet, prandaj bota “duhet të fillojë të përgatitet për mundësinë e një ‘finaleje klimatike’”. Studiuesit, të udhëhequr nga Dr. Luke Kemp i Qendrës së Kembrixhit për Studimin e Rrezikut Ekzistencial, i cili botoi në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS) të Akademisë Kombëtare të Shkencave të SHBA-së, propozojnë një axhendë kërkimore që do të vendosi në tapet skenarët më të këqij të mundshëm, të cilët variojnë nga humbja e 10% e popullsisë së botës deri në zhdukjen eventuale të të gjithë njerëzve për shkak të krizës klimatike. Në këtë kontekst, ndër të tjera, ata i bëjnë thirrje Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) që t’i kushtojë një raport të ardhshëm perspektivës së një ndryshimi katastrofik klimatik, në mënyrë që opinioni publik ndërkombëtar të mund të mobilizohet më aktivisht.

Bazuar në tendencat aktuale të “gazit serë”, shumica e shkencëtarëve presin një rritje të temperaturave mesatare globale prej 2,1 deri në 3,9 gradë deri në vitin 2100. Nëse masat e nevojshme respektohen më rreptësisht nga shumica e vendeve, rritja mund të mbahet në 1,9 deri në 3 gradë, ndërsa në skenarin optimist rritja e temperaturës nuk do të kalojë 2.6 gradë.

“Ka shumë arsye për të besuar se ndryshimi i klimës mund të bëhet katastrofik, edhe me nivele të moderuara të rritjes së temperaturës. Ndryshimet klimatike kanë luajtur një rol në çdo zhdukje masive të specieve në të kaluarën. Ajo ka ndihmuar në rrëzimin e perandorive dhe në formësimin e historisë. Rrugët drejt katastrofës nuk kufizohen në efektet e drejtpërdrejta të temperaturave të larta, siç janë ngjarjet ekstreme të motit. Pasojat indirekte si krizat ekonomike, konfliktet dhe shpërthimet e sëmundjeve të reja mund të shkaktojnë rreziqe të tjera dhe të pengojnë rimëkëmbjen nga fatkeqësitë e mundshme si lufta bërthamore ,” tha ai.

Studimi vlerëson se deri në vitin 2070 rreth dy miliardë njerëz do të jetojnë në zona me nxehtësi ekstreme, me një temperaturë mesatare vjetore mbi 29 gradë Celsius, krahasuar me vetëm 30 milionë sot, kryesisht në Sahara dhe në rajonin e Gjirit. Në fakt, shumë nga zonat në fjalë do të jenë me popullsi të dendur dhe politikisht të paqëndrueshme.

Studimi thekson se, ndër të tjera, rritja e temperaturave përbën një kërcënim të madh për furnizimin global të ushqimit, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit gjithnjë e më të shpeshta krijojnë kushte për pandemi të reja. Studiuesit mendojnë se ka të ngjarë që me kalimin e kohës kolapsi i klimës do të tejkalojë kërcënimet e tjera, si pabarazia ekonomike, keqinformimi dhe erozioni i demokracisë.