Paralajmërimet për tërmete apokaliptike, banorët nisin braktisjen e Stambollit

E ndërsa e gjithë Turqia po përpiqet të shërojë plagët e mëdha të lëna pas nga tërmetet shkatërrimtare të së hënës së 6 shkurtit, që deri më tani i kanë marrë jetën mbi 45 mijë personave në Turqi e Siri, vëmendja është kthyer nga pasiguria e zonave të tjera të vendit, e veçanërisht metropoleve të mëdha, për të cilat së fundmi është ngritur shqetësimi se mund të jenë “viktimat” e radhës të ndonjë goditjeje tjetër fatale.

Një nga to është pikërisht Stambolli, banorët e të cilit kanë nisur tanimë të interesohen nëse shtëpitë ku ata jetojnë janë të sigurta në rast goditjesh të tilla. Shumë prej tyre kanë lënë banesat dhe kanë nisur të transferohen drejt destinacioneve, që sipas ekspertëve të ndërtimit, janë më të sigurtat për të jetuar.

Ndërsa ekspertët paralajmëruan për një tërmet të mundshëm në Stamboll, fakti që 25 për qind e ndërtesave në metropol ishin të rrezikshme, i shtyu banorët e qytetit të vepronin, duke shtuar ndjeshëm kërkesën për verifikime profesionale për sigurinë e godinave.

Ndërkohë mediat turke kanë bërë një përmbledhje të rajoneve në apo pranë Stambollit e metropoleve të tjera të mëdha turke, ku ndërtimet konsiderohen si të forta e që mund të përballojnë me sukses edhe goditje si ato të 6 shkurtit./a2cnn