Paraburgim për komandantin e burgut të Idrizoves dhe dy policë

Gazetar: Mefail Ismaili

Komandanti i Burgut të Idrizovës dhe dy policë të tjerë të burgut përfundojnë në Shuktë. Vendimi vjen pas arratisjes spektakolare të të dënuarit me 20 vjet burg për vrasje një ditë më parë. Ndërsa për policin e plagosur të burgut është caktuar masë e sigurisë. Prokuroria në njoftim thekson se komandanti i dyshuar i sigurisë së jashtme dhe tre policë të tjerë të burgut në Idrizovë, kanë kryer veprën penale “lirim kundër ligjit të një personi të dënuar”.

“Të dyshuarit, pas udhëzimeve të paraprake të të dyshuarit të parë – komandant, si persona zyrtarë, me paramendim, duke ndërmarrë dhe duke mos i ndërmarrë veprimet që kanë qenë të detyruar ti ndërmarrin, kanë ndihmuar dhe i kanë mundësuar të dënuarit Bekim Memeti të arratiset. Duke vepruar kështu, kanë shkelur të gjitha procedurat për shoqërimin në një institucion shëndetësor të të dënuarit me burg për krim të rëndë”, thonë nga Prokuroria Publike.

Prokuroria në njoftimin shpjegon se pasi i dënuari është vetëlënduar duke prerë pëllëmbën e majtë dhe është fashuar në ambulancën e burgut, autoritetet nuk kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore nga ambulanca, për të përcaktuar nëse lëndimet mund të kurohen në vend, por me rekomandim të të dënuarit, të punësuar në autoambulancë, kanë ndërmarrë veprime për dërgimin e të plagosurit në Qendrën Emergjente me iniciativë të tyre, edhe pse procedurat kërkojnë që nëse një i dënuar duhet të trajtohet në një institucion shëndetësor, shërbimi i burgjeve duhet të kërkojë ndihmë nga Ministria e Brendshme. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se vepra është kryer në mënyrë që të dyshuarit me vetëdije kanë mundësuar arratisjen e personit të dënuar.

“Me vetëdije dhe me qëllim për t’i mundësuar arratisje, personin e dënuar të cilin po e bartnin e kanë ulur në rreshtin e mesëm të automjetit zyrtar dhe jo sipas procedurave standarde operative për shoqërimin e personave të dënuar në pjesën e veçantë të mjetit të destinuar për këtë. Më pas, një nga oficerët e burgut aspak nuk ka mbajtur armë shërbimi, edhe pse duhej patjetër të mbante. Dhe megjithëse i dënuari e ka pasur të kufizuar lëvizjen e duarve me mjete për lidhje, atij përsëri i është mundësuar qasje deri tek pistoleta e njërit prej policëve të burgut, me të cilin ka shtënë një plumb”, deklaroi Toni Angellovski, MPB.

Angellovski shpjegon që edhe pse plumbi është shtënë në drejtim të kulmit të automjetit për ta arsyetuar lirimin e të dënuarit nga policët e burgut, ai është kthyer me rikoshet dhe ka goditur në pjesën e poshtme të barkut policët e burgut I.H. Nga MPB thonë se veprimet e tilla të kundërligjshme janë kryer pasi mjeti zyrtar i burgut është përgjuar dhe lëvizja e tij është penguar nga automjeti tjetër i markës “Audi” ndërsa punonjësit e policisë së burgut nuk kanë ndërmarrë asnjë masë në lidhje me ndalimin e tyre me forcë. Kështu i dënuari pas ngjarjes ka hyrë në mjetin tip “Audi” dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Edhe pse disa nga policët e burgut ishin të armatosur, nuk kanë marrë asnjë masë për të parandaluar arratisjen.