Para Komunës Butel protesta kundër këshilltarit të LSDM-së

Edhe sot një grup qytetarësh kanë dalë për të protestuar para Komunës së Butelit në Shkup. Mbajnë pankarta të ndyshme në duar, me mbishkrime si “Dorëheqje”, “Barazi”, “Nga komunistë u bëtë fashistë”.

Kjo revoltë vjen pasi dje një i punësuar në komunë përmes llogarisë së tij në Facebook ofendoi dhe shau shqiptarët. I njëjtë më pas kërkoi falje dhe tha se profili i tij ishte hakuar.

Ndërkaq sot përmes Facebookut Kryetari i Butelit, Velimir Smilevski ka njoftuar se të punësuarit i është ndërprerë kontrata e punës.

“Në lidhje me ngjarjen e djeshme të pakëndshme me të punësuarin në Komunën e Butelit, ju informoj se nga sot, angazhimi i tij në punë që ishte i rregulluar me kontratë, është ndërprerë dhe i njëjti më nuk është i punësuar në Komunën e Butelit” ka shkruar Smilevski.

Kryetari po ashtu ka shkruar se për fat të keq mendimet e këtij të punësuari ka vënë në pikëpyetje edhe miqësinë që Smilevski ka pasur me të. Megjithatë Kryetari ripërsërit se qëndrimet e të punësuarit nuk janë edhe qëndimet e tij, ndërsa apelon tek bashëkqytetarët të mos lejojnë që ngjarje të këtilla të prishin bashkëjetesën dhe miqësinë.