Historia e njerëzimit njeh edhe shumë abuzime të trishta në momente pandemike. Në pamundësi reale që autoritetet shtetërore e vendore të mbajnë nën kontroll gjithçka, në skenë dalin edhe dallkaukët, të cilët, me lajka e me trimëri fallco, me shqetësim e vullnetarizëm dhelpërak, me instikt kafshëror e me synime djallëzore, vihen në lëvizje, kinse si masë shtesë, si “logjistikë” e autoriteteve që përpiqen ta luftojnë pandeminë
Shkruan Afrim Tahiri
Në kohë krizash, sidomos në kohë pandemishë, të gjithë personat me shpirt autoritar e diktatorial, bëhen të zëshëm në përkrahjen dhe ashpërsimin e masave të jashtëzakonshme që mbështeten në të tjera ligje të miratuara enkas, dhe, mbase, për një çast mund të “suspendohet” edhe demokracia dhe për bazë veprimi të vlejnë do rregulla që imponojnë një disiplinë më të hekurt e në funksion të së mirës njerëzore.
Vendet që shtiren se akoma janë në tranzisicon (kalim prej një sistemi politik në tjetrin), vendet që janë në luhatshmëri në mes të demokracisë dhe autoritarizmit, apo vendet me “demokraci të brishtë”, me një dinakëri lehtësisht manipulative mund ta përdorin një pandemi të llojit të Corona Virusit si tokë pjellore ku mund të lulëzojë autoritarizmi i atyre “liderëve” që e ëndërrojnë një situatë të tillë qoftë edhe për “pesë minuta”! Shfaqet pandemia, me një kanosje për shtrirje globale, shpallen gjendjet e jashtëzakonshme, situatat emergjente, sillen vendime e rregulla të reja, të cilat absolutisht duhet të jenë në shërbim të shpëtimit të sa më shumë jetë njerëzish, qoftë kjo edhe përmes masave të rrepta e ligjeve të ashpra, të denja për një situatë diktatoriale, dhe, jeta vazhdon si në “shtetërrethim” klasik!
Historia e njerëzimit njeh edhe shumë abuzime të trishta në momente të tilla pandemike. Në pamundësi reale që autoritetet shtetërore e vendore të mbajnë nën kontroll gjithçka, në skenë dalin edhe dallkaukët, të cilët, me lajka e me trimëri fallco, me shqetësim e vullnetarizëm dhelpërak, me instikt kafshëror e me synime djallëzore, vihen në lëvizje, kinse si masë shtesë, si “logjistikë” e autoriteteve që përpiqen ta luftojnë pandeminë.
Në esencë, të gjithë këta tipa janë si ujku në mjegull, imponohen si “faktor” shumë i rëndësishëm në zinxhirin e pushtetit që dejton dhe menaxhon me krizën, me pandeminë; të gjithë këta tipa janë me shpirt e konstrukt mental të diktatorit, të pushtuesit të egër me të gjitha karakteristikat e kriminelit dhe, në ashpërsimin e situatës, në shpalljen e gjendjes së jazhtëzakonshme, janë thellësisht të bindur se ka ardhur momenti i tyre për ta ushtruar forcën e grushtit! Dhe kjo forcë duhet të jetë ose krah i autoritetit që kontrollon gjendjen e jashtëzakonshme dhe, si rrjedhojë, që ofron përfitime për më “të fortit”, ose pastaj, mund ta përjetojnë thyerjen e krahëve nga kjo forcë që mund të rrebelohet e ta bëjë edhe më zi situatën, nën logjikën proverbiale “ujku do mjegull”!
Natyrisht, praktikat e ndryshme qeveritare, në të tilla situate, kontrollin e kanë shtrirë paralelisht, në dy drejtime: edhe mbi pandeminë, edhe mbi “përfituesit nga pandemia”! “Përfituesit” e tillë shpesh u kanë hyrë në punë, sepse bëhen strumbullar i bandave të cilët pastaj bëhen lehtësisht të kontrollueshme dhe si rrjedhojë, të goditshme pa pardon sapo të kalojë stuhia pandemike!
Në situatën aktuale, pa dyshim që e tërë bota është në një betejë në mes jetës dhe vdekjes, duke bërë që qeveritë e shteteve të ndryshme, në mënyrë autonome, të gjejnë forma e metoda për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish. Ky është synimi! Pra, i vetmi synim është shpëtimi i njerëzive, ky është përfitimi i qeverive që pritet nga kjo situatë.
Fatkeqësisht, ka edhe nga ata “liderë” që mezi kanë pritur situatë të tillë pandemike për ta shtrirë e për ta ushtruar pushtetin autokrat e diktatorial pa frikë e pa dhimbje. Ne emër të shpëtimit të njerëzve të shtypin njerëz. Shpëtimi nënkupton liri, shtypja nënkupton krim, vrasje, në rastin konkret, bashkëveprim me “pushtetin” e pandemisë së frikshme që vdekjen ta garanton për “paqe”. “Liderët” dytësorë e tretësorë, apo, të ashtuquajturit e të vetëshpallurit “lider”, insistojnë, me lloj-lloj marifetesh, që të pranohen apo, të paktën, të përceptohen si anëtarë të “shtabit të krizës”, sepse ju intereson ai moment ku forca e ligjit nuk pyet për “mikun” e “armikun”, ku në emër të kësaj “force ligjor” bëjnë kërdinë!
Situata e jashtëzakonshme, pandemia, këtyre “liderëve” u shërben si mjet përfitimi për ta shtrirë dhe ushtruar “ballëlartë” pushtetin e tyre fiktiv, mbi të gjitha, përmes kufuzimit të lirive për shprehje e për veprim të të gjithë atyreve që llogariten “armiq të pushtetit” të projektuar nga këta “liderë” sharrlatanë. Ironia qëndron aty se, këta avanturierë thirren në po atë “kufizim lirishë” që edhe demokracia funksionale ua ka bërë qytetarëve të tyre, duke e mjegulluar të vërtetën se, kësisoj, ruhet reciprokisht shëndeti dhe jeta: si e qytetarëve ashtu edhe e demokracisë liberale. Edhe “liderët” e mendermethënshëm kërkojnë që, ngjashëm si demokracia liberale, të ndalojnë lëvizjen e lirë dhe të kenë lirinë e ushtrimit të forcës policore si dhe të kontrollimit të informacioneve por edhe të të dhënave personale!
Qytetaria e ngjeshur me demokraci liberale ka absolutisht besim në qeverinë e vet dhe nuk e bën fjalën dysh kur është në pyetje nënshtrimi para rregullave të reja si pasojë e masave të jashtëzakonshme! Por, një pretendim i tillë edhe nga “liderët” e diskutueshëm, është një sprovë absolutisht e papranueshme nga qytetaria e cila reagimin e vet mund ta manifestojë edhe përmes ndonjë kundërshtimi epik. Megjithatë, “liderët” e diskutueshëm “qytetarinë” e vet mundohen që ta manifestojnë përmes angazhimit të tyre në mbrojtje dhe siguri të qytetarëve që po kanosen nga pandemia. Tipave të këtillë, aq shumë të rrezikshëm për çdo vend e çdo shoqëri, u interesojnë forma e mënyra të ndryshme, të cilat do të ndikonin në kthim sa më të shpejtë të ndonjë forme të egër të autokracisë, sepse, vetëm në ato lloj sistemesh, këta “liderë” mund ta ushtrojnë “pushtetin autoritar”. Ky është sistemi i tyre dhe jo demokracia liberale. Prandaj edhe herë pas here, nga mentaliteti i tyre prej diktatorxhikëve, mund të dëgjoni zëshëm mendimin e tyre: “zgjate Zot këtë pandemi”, ose “le të pezullohen të gjitha vendimet që pengojnë shtrirjen e pandemisë”…
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)