Pandemia nuk i ndal dasmat, gjoba për shkelësit e ligjit

Gostivari nuk i ka ndalur dasmat edhe gjatë pandemisë. Nga moment i vendosjes së masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, në Gostivar janë organizuar dasma si në restorante ashtu edhe nëpër shtëpi. Policia e Gostivarit së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Tregut kanë arritur të zbulojnë pesë dasma, një të organizuar në shtëpi dhe katër në restorante, të cilët janë mbyllur përkohësisht.

“Që nga hyrja praktike në fuqi e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit “Covid-19”, në zonën e gjerë të Gostivarit janë regjistruar gjithsej 5 ahengje familjare, nga të cilat 4 të organizuara në restorante dhe 1 në shtëpi. Kryesisht kemi të bëjmë me dasma të cilat janë ndërprerë nga ane e pjestarëve të policisë të SPB Tetovë në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut ndërsa objektet hotelierike janë mbyllur përkohësisht ”, thuhet në njoftimin e SPB – Tetovë.

Për dasmorët dhe pronarët e objekteve ku janë organizuar dasmat në prokurori janë dorëzuar parashtresa.
“Për sanksionimin e veprimeve joligjore, gjegjësisht mosveprim sipas masave të qeverisë, janë përgaditur dhe deri në Prokurorinë Themelore Publike – Gostivar janë dorëzuar parashtresa adekuate sipas Nenit 206, për “mosveprim në përputhje me rregulloret shëndetësore gjatë një epidemie”, thuhet më tej në njoftimin e SPB-Tetovë.

Në të njëjtën periudhë, në zonën e Tetovës, ka patur tre ahengje familjare, të cilat tani për tani kanë përfunduar me 1 kallëzim penal kundër një personi juridik dhe një personi fizik sipas nenit 206 të Kodit Penal, kurse për dy rastet tjera procedura është në përpunim e sipër. Këto objekte janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.