Pandemia në Gjermani, mjekja shqiptare: Gjendja është përkeqësuar, mund të jemi në karantinë deri në fillim të prillit

Specialistja e mjekësisë së urgjencës, familjes dhe psikoterapisë, njëkohësisht dhe kryetare e Federatës së Mjekëve në Evropë, Aurora Dollenberg tregoi situatën e koronavirusit në Gjermani.

Mjekja u shpreh se në Gjermani është përkeqësuar situata e COVID, pasi gjatë pushimeve të verës shumë emigrantë sollën infeksionin në këtë shtet.

“Numri i lartë i ardhjeve të infeksionit nga jashtë, sidomos gjatë periudhës së verës, si pasojë e pushimeve dhe të emigrantëve, edhe shqiptarëve, infeksioni brenda vendimit por i furnizimi me raste të reja nga jashtë, çoi që në vjeshtë të kishim një rritje drastike të numrit të të infektuarve”, tha ajo në Euronews Albania.
“Edhe pse jemi në karantinë për më shumë se një muaj, Gjermania nuk po tregon një rënie të numrit të të infektuarve”, tha ajo më tej.

Dollenberg theksoi se në Gjermani, në këtë valë të dytë infeksioni është rritur shumë numri i viktimave.

“Në ndryshim nga vala e para e pandemisë kemi një rritje të numrit të të vdekurve, gjë që e ka çuar sistemin tonë shëndetësor në kolaps. Spitalet janë duke i mbyllur urgjencat, nuk po funksionon ai sistemi perfekt që kishim”, tha ajo. Sipas saj, Gjermania mund të jetë në karantinë deri në fillim të prillit.

“Zgjatja e karantinës mund të shkojë deri në fillim të prillit. Derisa të heqim të paktën pjesën më të madhe të popullatës që është më e rrezikuar, që të kemi arritur që ta vaksinojmë”, u shpreh mjekja.
Ndërsa për procesin e vaksinimit ajo theksoi: “Fillimisht kemi pasur Pfizer që është aplikuar në mënyrë masive në qendrat spitalore dhe shtëpitë e pleqëve. Modera është porositur në një numër shumë herë më të lartë, jo vetëm që është më praktike edhe për transportimin, por edhe njëkohësisht ka një kosto shumë më të ulët”, përfundoi ajo.