Pandemia e radhës, Bill Gates: Po patëm fat, do të vijë brenda 20 viteve

Bill Gates parashikon se bota do të përballet sërish me një pandemi tjetër por që nuk do të shkaktojë dëme sa COVID-19. Në një bashkëbisedim në radio me aktoren Rashida Jones dhe me epidemiologun amerikan Anthony Fauci Gates u shpreh se pandemia e radhës “po patëm fat do të vijë brenda 20 viteve”. Por bashkëthemeluesi i Microsoft nuk përjashton mundësinë që të vijë edhe brenda 3 viteve.

Gates mendon se pandemia e radhës nuk do të ketë ndikimin shkatërrues që pati koronavirusi pasi këtë herë do të përgjigjemi më shpejt dhe do të kemi pajisje më të mira testuese.

“U praktikuam tashmë dhe mendoj se në pandeminë e radhës do të përgjigjemi të gjithë siç bëri në fillim Koreja e Jugut apo Australia. Gjithashtu do të kemi pajisje testuese më të mira. Nuk besoj të tregohemi budallenj herën e dytë” tha Gates.

Themeluesi i Microsoft Bill Gates më herët ka thënë se pandemia COVID-19 do të marrë fund në vitin 2022. Por ai ka qenë optimist për krijimin e shpejtë të vaksinës. “Pandemia do të përfundojë brenda dy vitesh. Por brenda fundit të vitit mund të kemi 3 vaksina të autorizuara” është shprehur ai.