Palestinezët nisin agjërimin me krizë të urisë

Palestinezët kanë nisur të agjërojnë, teksa muaji i shenjtë mysliman i Ramazanit gjeti bisedimet e armëpushimit në ngecje, me urinë që po përkeqësohet në të gjithë Rripin e Gazës, e me një luftë që fundi nuk po i dihet.

Lutjet u mbajtën jashtë, mes gërmadhave, të dielën vonë. Disa banorë, ato pak dekorime të pakta që kishin, i vendosën në kampe në të cilat po qëndrojnë, pavarësisht kushteve. Fëmijët kërcenin, e një burrë këndonte në altoparlant.

Mirëpo kishte pak arsye për të festuar, pas pesë muajsh luftë që ka lënë të vdekur mbi 30 mijë palestinezë dhe ka lënë pjesën më të madhe të Gazës nën rrënoja. Familjet zakonisht e prishnin agjërimin e përditshëm me ushqime speciale për Ramazan, por tash edhe aty ku ka ushqim, ka pak, ndërkaq ato që janë për t’u blerë, kanë çmime të larta, shpesh të papërballueshme për shumë njerëz.

“Nuk e shihni më askënd me gëzim në sytë e tyre”, ka thënë Sabah al- Hendi, i cili po bënte pazar për ushqim të dielën në qytetin jugor të Rafahut. “Çdo familje është e trishtuar. Çdo familje ka një dëshmor”.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kishin shpresuar për ndërmjetësimin e një armëpushim përpara muajit normalisht të gëzueshëm të agjërimit, që do të përfshinte lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, dhe hyrjen e një sasie të madhe ndihma humanitare, por bisedimet ngecën javën e kaluar.

Hamasi po kërkon garanci se çdo marrëveshje e tillë do të çojë në përfundimin e luftës, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar të vazhdojë ofensivën deri në “fitoren totale” kundër grupit militant dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura.

Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250. Hamasi ende besohet se mban rreth 100 robër dhe trupat e 30 të tjerëve.

Lufta ka dëbuar rreth 80% të popullsisë së Gazës – prej 2.3 milionë banorësh nga shtëpitë e tyre dhe ka shtyrë qindra mijëra të tjerë në prag të urisë. Zyrtarët shëndetësorë thonë se të paktën 20 persona, kryesisht fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja dhe dehidratimi në veri të Gazës.

Forcat izraelite e kanë mbyllur kryesisht veriun që nga tetori dhe grupet e ndihmës thonë se kufizimet izraelite, armiqësitë e vazhdueshme dhe prishja e ligjit dhe rendit e kanë bërë gati të pamundur shpërndarjen e sigurt të ushqimit të nevojshëm në pjesën më të madhe të territorit.

Izraeli ndërkohë është zotuar ta zgjerojë ofensivën e tij në qytetin jugor të Rafahut, ku gjysma e popullsisë së Gazës ka kërkuar strehim, pa thënë se ku do të shkonin civilët për t’i shpëtuar sulmit. Presidenti Joe Biden ka thënë se një sulm në Rafah kishte “vijë e kuqe” për të, por se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë ushtarake për Izraelin.

Biden pranoi në mesazhin e tij vjetor të Ramazanit se muaji i shenjtë vjen “në një moment dhimbjeje të fortë”.

“Teksa myslimanët mblidhen anembanë botës gjatë ditëve dhe javëve në vijim për të prishur agjërimin e tyre, vuajtjet e popullit palestinez do të jenë në mendjen e shumë njerëzve. Janë edhe në mendjen time”, ka theksuar ai.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë filluar të lëshojnë ndihma nga ajri ditët e fundit, por grupet humanitare thonë se përpjekje të tilla janë të kushtueshme dhe të pamjaftueshme. Ushtria amerikane ka filluar gjithashtu transportimin e pajisjeve për të ndërtuar një urë detare për të ofruar ndihma, por ka të ngjarë të kalojnë disa javë para se ajo të jetë funksionale.

Një anije që i përkiste grupit spanjoll të ndihmës, “Open Arms” që mbante 200 tonë ndihma ushqimore pritej të bënte një udhëtim për në Gaza nga Qiproja e afërt, megjithëse nuk ishte e qartë se kur do të nisej. Izraeli ka thënë se mirëpret dërgesat në det dhe do të inspektojë ngarkesën e drejtuar nga Gaza përpara se të largohet nga Qipro.

Anija në Qipro pritet të marrë dy deri në tre ditë për të mbërritur në një vend të pacaktuar në Gaza. Ushqimi po ofrohet nga “World Central Kitchen”, një shoqatë bamirëse amerikane e themeluar nga kuzhinieri i famshëm José Andrés, i cili tha se puna në Gaza filloi të dielën. Sapo anija të arrijë në Gaza, ndihma do të shkarkohet nga një vinç, do të vendoset në kamionë dhe do të drejtohet në veri.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje thelbësore ushtarake për Izraelin dhe e kanë mbrojtur atë nga thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, teksa i kanë kërkuar të bëjë më shumë për të shmangur dëmtimin e civilëve dhe për ta lehtësuar arritjen e ndihmave humanitare.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka njoftuar të hënën se të paktën 31.112 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 67 trupa të sjellë në spitale në 24 orët e fundit. Ministria nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë dy të tretat e të vdekurve.

Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave civile, sepse militantët luftojnë në zona të dendura banimi dhe pozicionojnë luftëtarë, tunele dhe raketahedhës pranë shtëpive, shkollave dhe xhamive. Ushtria thotë se ka vrarë 13 mijë luftëtarë të Hamasit, pa dhënë prova.

Duke folur të shtunën për MSNBC, Biden tha se Izraeli kishte të drejtën t’i përgjigjej sulmit të 7 tetorit, por se Netanyahu “duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje humbjeve të jetëve të pafajshme”.