Pakistani bën thirrje që vendet islame të bashkohen kundër su*lmeve të Izraelit ndaj palestinezëve


Ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Shah Mahmud Qurayshi, deklaroi se vendet islame duhet të bashkohen kundër su*lmeve të Izraelit ndaj popullit palestinez.
“Ne mund ta ngremë zërin tonë individualisht, por problemi do të merret parasysh kur të gjithë 57 vendet që janë anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik e mbështesin atë”, tha Qurayshi në një deklaratë në Multan.

Duke vlerësuar që Pakistani, Arabia Saudite, Turqia, Malajzia dhe Indonezia nuk mund të bëjnë asgjë më vete, Qurayshi theksoi nevojën që vendet islame të bashkohen kundër sulmeve të Izraelit ndaj popullit palestinez.

Ngjarjet në Kuds dhe në Gaza
Grupet e rezistencës palestineze në Rripin e Gazës të hënën i dhanë afat policisë izraelite të tërhiqej nga Xhamia Al-Aksa dhe lagja Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të pushtuar deri në orën 18:00 të asaj dite.
Pasi policia izraelite nuk u tërhoq nga xhamia Al-Aksa dhe Sheikh Jarrah, grupet palestineze të rezistencës lëshuan raketa në drejtim të Izraelit.

Pas kësaj, ushtria izraelite njoftoi se një operacion ushtarak i quajtur “Mbrojtësit e Mureve” u nis kundër Rripit të Gazës.
Si pasojë e su*lmeve izraelite, numri i palestinezëve të martirizuar është rritur në 48, në mesin e të cilëve 14 fëmijë dhe tre gra, ndërsa 304 janë plagosur.

Organizatat palestineze të rezistencës goditën gjithashtu me raketa qytetet dhe rajonet izraelite përreth Rripit të Gazës. Policia izraelite njoftoi se 6 izraelitë vdiqën dhe 47 tjerë u plagosën për shkak të raketave të hedhura nga Rripi i Gazës.