Pagat e punonjësve të administratës revoltojnë biznesmenët (VIDEO)

Revolti i sektorit privat vjen nga fakti që dy të tretat e punëtorëve të administratës shtetërore në dy muajt e fundit nuk janë paraqitur në vendet e punës ndërsa kanë marrë pagë të plotë. Në ndërkohë, pjesa më e madhe e punonjësve të kompanive private për muajt prill dhe maj kanë marrë paga më të ulëta.

“Punonjësit në sektorin privat e ndjejnë këtë situatë dhe i ndjejnë vështirësitë nga aktiviteti i reduktuar ekonomik. Si shoqatë e punëdhënësve dhe si përfaqësues të një pjese të komunitetit të biznesit, kemi problem me pranimin e barazisë në shoqëri- deklaroi Mile Boshkov”- kryetar i konfederatës së biznesit të Maqedonisë.

Nga SPOGJ që i përfaqëson punonjësit në administratë, organet e gjyqësorit dhe shoqatat, për Alsat thonë se nëse kriza vazhdon, atëherë korrigjimi i pagave në administratë do të jetë e paevitueshme.

“Nëse një punonjësit që ka pagë prej 16 apo 17 mijë denarëve i shkurtoni 2000 denarë, kjo do të thotë që i keni marrë ekzistencën për një muaj. Për të, kjo shumë është e lartë. Por, ata që kanë paga 60 apo 70 mijë denarë, kjo shumë nuk është asgjë”- pohoi Peco Grujovski- SPOGJ.

Ministrja e financave, Nina Angellovska në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat konfirmoi se konsensus politik për shkurtimin e pagave për momentin në Qeveri nuk ka. Rishikimi i buxhetit pritet të jetë gati deri nesër./Alsat