Paga minimale 18 mijë denarë, ministrja siguron se buxheti mund ta përballon

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska është optimiste se sot në Këshillin Ekonomik-Social do të gjendet zgjidhja më adekuate e pranueshme për të gjithë partnerët socialë.

Në intervistën e sotme për televizionin 24, Trençevska tha se kërkesa e Lidhjes së Sindikatave të cilin e mbështesin edhe sindikatat tjera është reale sepse është sipas shpenzimeve të jetës dhe shportës konsumatore.

“Besoj se në Këshillin Ekonomik-Social, propozimi do të pranohet nga të gjithë partnerët socialë. Kur kemi dialog konstruktiv të KES, gjithmonë arrijmë zgjidhjen e cila është më e mira për të gjitha palët e përfshira. Buxheti është në kondicion të mirë dhe çdo zgjidhje e propozuar do të jetë e mbështetur me financa”, theksoi Trençevska.

Në intervistë, siç bëri të ditur Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Trençevska ka theksuar se përmirësimi i statusit ekonomik të punëtorëve është prioritet i lartë i Qeverisë dhe se paga minimale do të rritet.

Sindikatat kërkojnë paga minimale të rritet menjëherë në 18 mijë denarë, ndërsa sipas përllogaritjeve të punëdhënësve ajo do të duhej të ishte 16.300 denarë. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Ekonomik – Social të mbajtur të premten, Konfederata e Biznesit doli me propozim për subvencionimin e një pjese të rritjes së pagës minimale. Për të gjitha propozimet e deritanishme sot pritet të debatojë Këshilli Ekonomik i Qeverisë pas çka do të mbahet Këshilli Ekonomik-Social.