Padrejtësia u korrigjua! Shqiptarët e Malit të Zi rimarrin ullinjtë shekullorë të Valdanosit

Montenegro, old olive trees near Ulcinj

Parlamenti ti Malit të Zi votoi në një seancë të premten ligjin mbi kthimin e pronës së njohur të Valdanosit në Komunën e Ulqinit. Ligji u votua me 49 vota të deputetëve të partive që ushtrojnë pushtetin në Mal të Zi dhe të disa deputetëve opozitarë, në mesin e të cilëve ishin edhe dy deputetët nga forcat politike shqiptare. Në votim nuk mori pjesë Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq.

Zëvendëskryeministri shqiptar në Malin e Zi, Dritan Abazoviç, përmes një postimi në Facebook, Abazoviçi ka thënë se pas 45 vjetësh padrejtësia është korrigjuar.
“Faleminderit pafund të gjithëve për mbështetjen tuaj! Pas 45 vitesh padrejtësia u korrigjua!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Valdanosi është një zonë e njohur bregdetare me një bukuri të rrallë natyrore, me rreth 18 mijë rrënjë ullinj qindravjeçarë që shtrihet në periferi të qytetit të Ulqinit.
Kjo ullishte kap një sipërfaqe mbi 100 hektarë toke dhe historikisht ka qenë pronë e mbi 200 familjeve që jetojnë në Ulqin. Në vitin 1978 kjo zonë u shtetëzua për nevoja ushtarake duke u kompensuar disa pronarëve shuma të papërfillshme parash. Aty ishte planifikuar të ndërtohej një bazë e madhe ushtarake, por për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë ky plan dështoi.

Qeveritë e ndryshme të Malit të Zi ndër vite, nuk hoqën dorë nga kjo pasuri dhe disa herë bënë përpjekje për t’ia shitur investitorëve dhe agjencive turistike të huaja. Ky synim ka shkaktuar shpesh protesta të mëdha të organizuara nga pronarët, OJQ-të dhe të partive politike shqiptare.
Në Parlament u vlerësua se votimi i Ligjit për kthimin e Valdanosit paraqet një sukses tejet të rëndësishëm për pronarët dhe përgjithësi për Komunën e Ulqinit.