Padi penale ndan Stevço Jakimoskit dhe pesë të punësuarve në komunën e Karposhit, i mundësuan një kompanie ilegalisht të përfitojë mbi 2 milion euro

Kryetari i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, dhe pesë të punësuar në departamentin e urbanizmit të të njëjtës komunë janë paditur penalisht sepse i kanë lejuar një subjekti juridik që menaxhonte fushat e tenisit t’i legalizojë ato, edhe pse janë objekte të përkohshme. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.

Jakimovski, sipas kallëzimit penal të parashtruar nga MPB-ja, ka nënshkruar pëlqimin urbanistik për legalizimin e një objekti të përkohshëm, edhe pse sipas Ligjit për Ndërtim dhe Ligjit për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, një objekt i përkohshëm, në këtë rast – fusha e tenisit, nuk mund të jetë objekt legalizimi.

Subjekti juridik, kundër të cilit është parashtruar gjithashtu një kallëzim penal, ka paraqitur kërkesë për përcaktimin e statusit juridik të objektit të ndërtuar pa leje, pas së cilës pesë punonjësit e komunës së Karposhit kanë kryer një inspektim në vend.”

“Është konstatuar se objektet sportive dhe rekreative – fushat e tenisit, gjoja i plotësojnë kushtet për legalizim. Ata më pas kanë përgatitur dhe së bashku me kryetarin e paditur të komunës, kanë nënshkruar pëlqimin urbanistik, pas të cilit, pasi është paguar taksa e caktuar për pronën, kanë përgatitur dhe nënshkruar edhe vendimin për përcaktimin e statusit juridik të objektit të ndërtuar pa leje, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Me këtë i kanë mundësuar subjektit juridik legalizimin e objektit të përkohshëm me një sipërfaqe prej mbi 3,990 metra katrorë dhe përfitimin e kundërligjshëm të një dobie pasurore në shumën prej dy milionë e 395,000 euro.

Nga Komuna e Karposhit, nëpërmjet një njoftimi, hedhin poshtë padinë penale, duke e quajtur tendencioze, dashakeqe dhe të motivuar politikisht. Sipas Komunës, çështja e legalizimit të objekteve sportive të ‘Aleksandar Palas’ është zgjidhur në përputhje me rregulloret ligjore.

KOMUNA E KARPOSHIT KATEGORIKISHT POHON SE LEGALIZIMI I KËTYRE OBJEKTEVE SPORTIVE ËSHTË I LIGJSHËM, SEPSE PËR ÇDO GJË QË LËSHOHET LEJE NDËRTIMI KRYHET LEGALIZIMI, DHE PËR KËTO OBJEKTE SUBJEKTI JURIDIK ‘ALEKSANDAR PALAS’ KA LEJE NDËRTIMI NGA MINISTRIA E TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE, TË CILËN NUK E KANË REGJISTRUAR NË KADASTËR, THUHET NË NJOFTIMIN E KOMUNËS KARPOSH.

Nga Komuna thonë se për fushat e tenisit, të ndërtuara në territorin e komunës së Karposhit gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit, është lëshuar leje ndërtimi.