Pacolli zemërgjerë: Do të qëndrojë në sallë për votimin e presidentit

Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosjes dhe lista e Vjosa Osmanit mund ta formojë Qeverinë vetëm me votat e minoriteteve, ndërsa që për zgjedhjen e Presidentit u duhet qëndrimi në salla edhe i partive tjera. Qëndrimin në sallë po e paralajmëron edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ku deklaroi se s’ do të jetë bllokues në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit nëse prezenca e tij është ajo që ndryshon situatën.

Pacolli ka thënë se s’do të jetë hakmarrës ndaj askujt, dhe se do të ishte gabim i madh nëse Kosova do të shkonte prapë në zgjedhje shkaku i çështjes së presidentit.

“Do të ishte e pakuptimtë që unë t’i hakmerrem dikujt që të bojkotohet diçka. Sidoqoftë nëse flitet për diçka që është kundër bllokadës politike të Kosovës atëherë unë do të je mi pari që nuk do të jem pjesë e saj. Nuk duhet të bëhet asnjë bojkot dhe nuk të bllokohet Kosova në rrugëtimin e saj dhe sigurisht nëse prezenca ime është ajo që ndryshon situatën unë do të jem në parlament.

Do të ishte gabim i madh që Kosova prapë të shkoj në zgjedhje. Nuk mund të shkojë ky vend të zgjedhje çdo vjet. Ky vend duhet të ecë përpara sepse kemi aq shumë punë për të bërë, probleme të pazgjidhura dhe nuk besoj që një njeri që e donë Kosovën ta fusë prapë në një vakum institucional dhe të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Pacolli për Ekonomia Online. Mes tjerash, Pacolli tha se vota e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë ndëshkim për partitë politike që kanë qenë në pushtet.