Pacolli kërkon që në Kosovë të shpallet ditë zie

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli reagoi pas vdekjes së ish-sekretares amerikane të Shtetit Madeleine Albright.
Në një postim në Facebook, Pacolli tha se Albright do të mbetet përjetësisht në historinë e shqiptarëve si heroinë.
Pacolli tutje shtoi se Kosova duhet të shpallë ditë zie, në respekt të zonjës së madhe Albright.

“Lamtumirë zonja e madhe Madeleine Albright. Gruaja e parë në historinë e SHBA që ishte në krye të diplomacisë, do të ngelet përjetësisht në historinë e shqiptarëve si heroinë. Ajo pati kurajën që me vendosmëri ta udhëheqë botën e lirë, për ndalimin e gjenocidit ndaj popullit tonë, çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit. Kosova duhet të shpallë ditë zie, në respekt të zonjës së madhe Albright. Faleminderit zonja sekretare. Shpirti yt u prehtë në parajsë”, ka shkruar ai.