Studimi i ri ka zbuluar nëse pacientët me COVID-19 mund të kenë skuqje të lëkurës dhe mpiksje gjaku. Ndërkohë Covid-19 filloi të përhapej me shpejtësi të madhe në Shtetet e Bashkuara, dermatologët filluan të shohin shenja të dyshimta në lëkurën e disa pacientëve. Ata kishin gishtërnj ngjyrë të kuqe ose vjollcë, kruarje të lëkurës, skuqje në këmbët dhe krahët. Mirëpo a ishin vërtet këto simptoma të lidhura me koronavirusin apo kishim të bënim me infeksione të tjera?
Sipas Dr. Art Papier i cili është profesor në Universitetin e Rochester në New York këto skuqje mund të jenë si pasojë edhe të infeksioneve të tjera virale. Sipas raportit të hulumtimit të bërë, pacientët e moshës 40 deri në 80 vjeç, kishin njolla në lëkurën e tyre. Biopsitë u kryen për secilin pacient dhe rezultoi se pacientët kishin një lloj vaskulopatie, që do të thotë se enët e tyre të gjakut janë prekur. Studiuesit nga New York Presbyterian dhe Weill Cornell College në raportin e tyre shkruanin se njollat në lëkurë mund të përfaqësojnë bllokimin e enëve të gjakut. Skuqje të tilla dhe zbardhja e lëkurës mund të jetë një “çelës klinik” për të na treguar se kemi mpiksje të mundshme të gjakut në trup shkruan CNN.
Që prej fillimit të pandemisë, mjekët kanë vërejtur se COVID-19 mund të shkaktojë tek pacientët mpiksje anormale të gjakut. Raporti vjen me disa kufizime, studiuesit nuk ishin në gjendje të konfirmonin kohën e saktë se kur skuqjet dhe problemet e tjera me lëkurën u shfaqën tek pacientët. Gjithashtu, është e nevojshme të bëhen më shumë hulumtime për të përcaktuar nëse këto simptoma janë shfaqur tek pacientët e tjerë të infektuar me Covid-19. Sidoqoftë, studiuesit në fund të raportit të tyre kanë shkruar se mjekët që kujdesen për pacientët e infektuar me koronavirus duhet të jenë të vetëdijshëm për njollat e lëkurës dhe skuqjet.