Osmani: Të kujtohemi pak, kemi Qeveri që për disa muaj e pret kryeministrin e parë shqiptar

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nga tubimi partiak i BDI-së, në Çair, ka kërkuar nga banorët e kësaj ane që të kujtohen pak, se në çfarë pozite kanë qenë shqiptarët dhe ku janë sot.

Duke filluar nga presidenti, tha se udhëheq ushtri me vulën në shqip. Vazhdoi me Parlamentin, duke shtuar se në rajon janë tre parlamente që udhëhiqen shqip.

Ndërkaq kujtoi banorët se për disa muaj edhe me Qeverinë pritet të udhëheqë një shqiptar.

“Të kujtohemi pak, kemi qenë jashtë shkollave, jashtë universiteteve, jashtë spitaleve, jashtë sporteleve… Kemi pasur një polici një etnike që i trajnonte policët e ri në shpinën e shqiptarit. Jo rastësisht ky këshill vendor quhet “6 Nëntori”. Ishim popull pa gjuhë, pa flamur, pa dinjitet dhe krenar që na takonte, dhe të kthehemi tash ku jemi tash dhe ta bëjmë dallimin dhe të fillojmë prej lartë – poshtë. Të fillojmë prej presidentit të shtetit i cili është konsensual dhe udhëheq ushtrinë me vulë që është në gjuhën shqipe. Sot kemi Parlament që gjashtë vitet e fundit udhëhiqet shqip. Në fakt kemi tre parlamente në rajon që tani udhëhiqen në shqip. Kemi Qeverinë me të cilën për disa muaj e presin kryeministrin e parë shqiptar”, tha Osmani duke shtuar 18 ministra prej të cilëve 9 janë shqiptarë.

“30 vite kanë pretenduar se ne nuk kemi kuadër për të udhëhequr politikën e jashtme. Sot ne ju mbajmë leksione se si një shtet i vogël pa resurse natyrore, mund të jetë faktor i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare”, tha më tej Osmani.