Presidentja Vjosa Osmani ka takuar serish emisarin amerikan për dialogun Gabriel Escobar në ditën e tij të fundit të vizitës në Kosovë.
Ajo me këtë rast shprehu përkushtimin e palëkundur për marrëdhëniet e veçanta me SHBA-në dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
“Sot mirëprita sërish në Presidencë zëvendësndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar në ditën e tij të fundit të vizitës në Kosovë. Shpreha përkushtimin tonë të palëkundur për marrëdhëniet tona të veçanta me SHBA-të dhe angazhimin tonë të vazhdueshëm për rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, shkruan Osmani në Facebook.
Dy emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar sot kanë përfunduar vizitën e tyre treditore në Kosovë, ku gjatë takimeve me liderë të institucioneve shtetërore dhe partive politike temë kryesore diskutimi ishte procesi i dialogut.