Osmani-Shweng: “Ballkani Perëndimor duhet të jetë prioritet kryesor i BE-së”

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani u takua me Christa Shweng, Kryetaren e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian- KESE.
Në takim, Osmani u shpreh i kënaqur nga qasja që ky trup këshillëdhënës i Unionit e ka ndaj vendeve të Ballkani Perëndimor, duke e konsideruar rajonin si pikë kryesore gjeostrategjike të Evropës, ndërsa procesin e zgjerimit si investim në paqe, stabilitet, siguri dhe rritje ekonomike për të gjithë kontinentin.

Osmani dhe Shweng shkëmbyen mendime mbi planet për riaktivizimin e punës së Komitetit të Përbashkët Konsultativ KESE-MK, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për dialogun e Maqedonisë së Veriut me BE-në në fushën socio-ekonomike, dhe do të luajë një rol të rëndësishëm edhe gjatë procesit të negociatave.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për Forumin e Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, i cili këtë vit mbahet në Shkup, me qëllim që rekomandimet e miratuara të Forumit të prezantohen në Samitin BE-BP, në Slloveni, javën e ardhshme.