Osmani: Secili prej nesh duhet të bëhet polic dhe mjek për vetveten dhe familjen

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani gjatë vizitës së tij në Tearcë të Tetovës tha se do të punohet që të mobilizohen qendrat lokale të krizave për komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët në mënyrë që t`i bindin ata të zbatojnë masat për mbrojtje nga Covid-19. Osmani theksoi se respektimi i masave mbrojtëse do të parandalon përhapjen e sëmundjes dhe kthimin e masave kufizuese.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu, për të dhënë mesazhe personale – askush nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë sjelljen e njerëzve, përveç nëse secili prej nesh bëhet polic për vetveten dhe mjek për vetveten dhe familjen e tij. Masat mbrojtëse janë të lehta, nuk ka masa më të lehta mbrojtëse sesa të mbash maska dhe të lash duart. Kjo është shpëtim nga të gjitha masat tjera kufizuese, pavarësisht nëse bëhet fjalë për orë policore ose karantinë, apo masa të tjera më të rënda. Udhëheqësit lokalë duhet të fillojnë të flasin me njerëzit për rreziqet e virusit, duke hedhur poshtë teoritë konspirative për mosekzistim të virusit dhe të punojnë me njerëzit që të durojnë edhe pak”, tha mes tjerash Osmani.