Zv/kryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë, Bujar Osmani, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thotë se për shkak të dallimit ndërmjet listës së votuesve dhe numrit të banorëve rezidentë në Maqedoni, edhe nëse nuk arrihet censusi në referendumin e 30 shtatorit do të merret parasysh shumica e votuesve dominant të cilët nëse prononcohen “për” do të reflektohet në Parlament me shumicë për ndryshimet kushtetuese.
Më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes me Greqinë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).
Zv/kryeministri Osmani, njëherësh kryenegociator politik me BE-në, duke folur për AA shpjegon se është vështirë të arrihet censusi në referendum, respektivisht 50 përqindëshi i daljes së qytetarëve në votim. Sipas tij, kjo çështje është më tepër problem tekniko-logjistik sesa mungesë e vullnetit politik, sepse siç thotë ai, në listën e votuesve janë 1.8 milionë votues ndërsa në votimet e fundit shihen 1.2 milionë votues real në vend.
“Nëse vullneti i qytetarëve që do të votojnë ‘për’ do të jetë dominant, atëherë ne do e marrim këtë mesazh të popullit dhe do e reflektojmë në Parlament me shumicë për ndryshimet kushtetuese. Unë jam optimist se edhe censusi do të arrihet por nëse për pak nuk do të arrihet, për shkak të këtij problemi tekniko-logjistik që nuk i kemi njerëzit këtu, mendoj se përsëri Parlamenti do të respekton vullnetin e shumicës të atyre që kanë votuar”, deklaron Osmani për AA.
Ai thekson se 50 përqindëshi i votuesve në Maqedoni në fakt është 70 apo 80 për qind nga numri i banorëve rezidentë, gjë që e bën të vështirë procesin, mirëpo ai shpreh optimizëm se të dyja do të plotësohen, do të arrihet censusi dhe shumica do të votojnë “për” në referendum.
– Dështimi i referendumit mund të ndikojë edhe në vendet tjera të rajonit
Sipas zv/kryeministrit Osmani, mundësitë për dështimin e këtij procesi që e ka filluar vendi janë të vogla, për shkak se qytetarët e dinë se mund të rrezikohet edhe stabiliteti nga krijimi i një paparashikueshmërie politike dhe ekonomike, gjë e cila më pas “krijon kriza politike, ‘status quo’, por edhe kriza ekonomike”.
“Mirëpo, ajo që më bën optimist është se qytetarët i dinë pasojat dhe ata që kanë politikisht tjera bindje dhe që ndoshta e trajtojnë çështjen e emrit si çështje emocionale, ditën e votimit e dinë se vendosin për fëmijët e tyre dhe ata do të marrin vendimin e duhur”, shprehet Osmani.
Ai thekson se dështimi i referendumit mund të ndikojë edhe në vendet e Ballkanit, pasi të gjitha këto vende janë të ndërlidhura dhe kanë një perspektivë të përbashkët.
“Ajo perspektivë bazohet në marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, bazohet në bashkëpunim dhe bazohet në perspektivë të përbashkët euro-atlantike që ka rajoni. Çdo prishje e këtyre momenteve që i përmenda do të ketë efektin domino në vendet tjera”, thotë Osmani.
– Marrëveshja me Greqinë, parakusht për krjimin e një identiteti të përbashkët shtetëror
Zv/kryeministri Osmani thekson se marrëveshja me Greqinë përforcon dhe ruan identitetet etnike të komuniteteve që jetojnë në Maqedoni, si dhe krijon një parakusht për krijimin e një identiteti të përbashkët shtetëror në të cilin do të indentifikohen të gjitha komunitetet.
“Me aplikimin e kësaj marrëveshjeje pranohet edhe nga Greqia gjuha maqedonase, komuniteti maqedonas ose bashkësia etnike maqedonase. Mirëpo, me ndryshimin e emrit, i cili është i ndryshëm nga i komunitetit krijohet një parakusht për një identitet të ri shtetëror që mendoj se do të jetë forcë shtesë e kohezionit të brendshëm në vend”, thotë Osmani për AA.
Ai beson se Maqedonia është model se si funksionon një shtet multietnik, pasi ka gjetur formulën specifike si të jetë një demokraci multietnike dhe multikulturore, të cilën siç thekson ai, vendi e bazon mbi parimin e integrimit të brendshëm dhe të integrimit të jashtëm. Ai shpjegon se parimi i integrimit të brendshëm rregullohet me Marrëveshjen e Ohrit, pasi ajo u mundëson të gjithë qytetarëve të bëhen pjesë e institucioneve të shtetit, ndërsa integrimi i jashtëm qytetarët i bën pjesë të NATO-s dhe BE-së.